Pesë vjet pas zjarrit, restaurimi i katedrales Notre Dame në Paris në fazën e fundit

by Merita

Pesë vjet pasi një zjarr shkatërrues përfshiu Katedralen Notre Dame të Parisit, vizitorët janë gati për të parë një nga monumentet më simbolike dhe më të vjetra të qytetit, që pritet të hapet në fund të këtij viti.

Rindërtimi dhe restaurimi i katedralesë ikonike është në fazat e fundit dhe ajo pritet të hapet për vizitorët pas Lojrave Olimpike, që këtë vit do të mbahen në Paris.

banner

Disa ditë pasi bota ishte dëshmitare e rënies së kullës më të lartë të Katedrales Notre Dame gjatë zjarrit të prillit 2019, Presidenti Emmanuel Macron njoftoi se Katedralja do të rindërtohej brenda pesë viteve.

“Unë po ju them solemnisht sonte: kjo katedrale do të rindërtohet nga ne të gjithë së bashku. Dhe ndoshta është pjesë e fatit të Francës dhe do të jetë projekti ynë për vitet në vijim. Unë jam i përkushtuar për këtë”, tha ai.

Një përpjekje monumentale për të rikthyer madhështinë e katedrales nisi pothuajse menjëherë pas shuarjes së flakëve.

“Mendoj se shumica e parizienëve dhe francezëve po shikonin ekranet e tyre televizive atë natë, ishte vërtet një moment i rëndë dhe kur ra kulla e lartë ne kishim lot dhe mund ta shihni që unë kam ende emocione për këtë. Kam lindur në Paris, ashtu si bashkëshorti im dhe ne kemi kujtime të fëmijërisë nga ky vend, kështu që ishte e rëndë të shihnim shkatërrimin nga zjarri të të gjithë historisë së paraardhësve tanë që e ndërtuan atë”, thotë francezja Josy Touchard.

Rindërtimi do ta rikthente në gjendje origjinale veprën historike arkitekturore katolike romake, një vendim i mbështetur edhe nga turistët që vazhdojnë të vijnë ta shohin atë nga jashtë.

“Unë e vlerësoj historinë e saj dhe arkitekturën mesjetare. Kështu që jam i kënaqur që ata e kthyen atë në gjendjen origjinale. Mendoj se ka qenë një arsimim i jashtëzakonshëm për botën”, thotë turisti amerikan Alan Whidby, nga Mineapolisi.

Zjarri në katedralen mesjetare katolike më 15 prill të viti 2019 tronditi botën. Për shumë besimtarë të të gjitha feve, ishte një tragjedi.

Punëtorët në Francë dhe madje edhe Gjermani po punojnë për restaurimin e katedrales dhe realiziimin e misionit të rihapjes së saj në fund të vitit. Tani për tani, vizitorët mund ta shohin katedralen nga jashtë dhe artefaktet e saj në ekspozita të veçanta.

Rihapja e pritshme e katedrales ikonike do të pasojë Lojërat Olimpike, që në verë të këtij viti do të mbahen në Paris./Voa/

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy