Ish-kryeministri Sali Berisha reagon pas vendimit të mazhorancës për të mos zhvilluar interpelancë me kryeministrin Edi Rama në lidhje me trafikun e drogës
Në emër të grupimit të Rithemelimit në Partinë Demokratike, Berisha thekson se sipas ligjit, kryeministri dhe çdo ministër është i detyruar t’u përgjigjet interpelancave.
Reagimi i plotë:
Edi Rama në shkelje flagrante të Kushtetutës, refuzon të paraqitet në interpelancën e thirrur nga Kryetari i Grupit Paralamente të PD, Gazmend Bardhi, për rolin e dokumentuar të Olsi Ramës, vëllait të Edi Ramës në grupin shqiptaro-kolumbian të kokainës që kishte instaluar në fshatin Xibrakë në magazina shtetërore, fabrikën më të madhe të kokainës në Ballkan. Rikujtojmë këtu se neni 80 sanksionon: ‘Kryeministri dhe çdo anëtar tjetër i Këshillit të Ministrave është i detyruar t’u përgjigjet interpelancave dhe pyetjeve të deputetëve brenda 3 javëve”
Përveç kësaj dje në një akt antikushtetues të pa precedent dhe në kundërshtim të hapur me nenet 98-99 të rregullores së Kuvendit, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi deklaroi në Kryesinë e Kuvendit se nuk do pranojë kërkesën mocion me debat për kryeministrin Rama të paraqitur nga Kryetari i Grupit Parlamentar të PD.
Partia Demokratike dënon me forcën më të madhe vazhdimin e mohimit të të drejtave kushtetuese të deputetëve të opozitës nga Edi Rama dhe suita e tij dhe deklaron se ajo nuk do pajtohet kurrë me këto akte antikushtetuse me të cilat Edi Rama kërkon të mbulojë lidhjet direkte të vëllait të tij me trafikun ndërkombëtar të kokainës dhe të mbrojë kësisoj veprimtarinë familjare mafioze të klanit Rama.