Faton Bislimi ka bërë të ditur përmes një postimi në facebook se ka dhënë dorëheqje nga Kryesia dhe Këshilli i përgjithshëm i LDK-së.
Bislimi ka qenë edhe deputet në Kuvendin e Kosovës dhe i zëshem në intereset shtetërore lidhur me integritetin e vendit.
Ai ka shprehur paknaqësitë ndaj kreut të tanishem dhe thote se “Fatkeqësisht, kjo LDK që unë zgjedh dhe e dua – sepse besoj fuqishëm që i shërben vendit e kombit – vetëm sa po tkurret konceptualisht nën çasjen e kreut të tanishëm”.
Po ashtu data e largimit të tij thotë që është e ndërlidhur edhe me Ditën e Presidentit, një celebrim demokratik që Presidenti Historik, Dr. Ibrahim Rugova, e kishte institucionalizuar.
NJOFTIMI I PLOTË:
Miq,
Dashnia e kontributi për vendin e interesin kombëtar kanë qenë dhe mbeten rruga ime e vetme e angazhimit politik. Rugovizmi si djathtizmi autentik kombëtar është fanari im. Kësaj rruge nën dritën e këtij fanari nuk do t’i ndahem.
Më poshtë keni tekstin e plotë të dorëheqjes sime nga Kryesia e LDK-së:
Anëtarëve të Kryesisë së LDK-së
24 Maj 2023
I nderuar Kryetar,
Të nderuar kolegë të Kryesisë,
Po ju shkruaj për t’ju njoftuar me vendimin tim për të dhënë dorëheqje nga Kryesia dhe Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së, efektivisht nga sot. Marrja e këtij vendimi nuk ishte aspak e lehtë! Por, në mes të heshtjes përballë injorimit të paarsyeshëm, personalizimit të skajshëm, dhe përpjekjes perfide për sforcim të pozitës personale e jo të partisë, kryesisht nga kreu i saj në njërën anë, dhe besimit të palëkundur për një LDK që i qëndron besnike vizionit rugovist, për një LDK që shpërfaqë e praktikon djathtizmit autentik kombëtar si dhe një LDK që e sheh secilin aktivist e aktiviste, të mëparshëm apo të tanishëm, si hisedarë e jo si shërbëtorë të partisë; unë zgjedh këtë të fundit. Zgjedh LDK-në e idealeve dhe pragmatizmit politik, jo atë të interesave personale e grupore; LDK-në e atyre që sakrifikuan e nuk u lodhën asnjëherë së punuari për liri, demokraci e pavarësi, jo atë të lartësimit të përfituesëve e tregtarëve politikë; LDK-në e vlerësimit dinjitoz të figurave themeltare e të të rënëve të saj, e jo atë të homazheve fallso para varreve të tyre; LDK-në e miqësisë permanente me SHBA-të, jo atë të thirrjes me zë të shterur në këtë miqësi vetëm për poena politikë; LDK-në e aktivistëve e kontributdhënësëve, jo atë të titullarëve! Për këtë LDK, qëndroj i palëkundur edhe tash e tutje!
Fatkeqësisht, kjo LDK që unë zgjedh dhe e dua – sepse besoj fuqishëm që i shërben vendit e kombit – vetëm sa po tkurret konceptualisht nën çasjen e kreut të tanishëm. Sikur shumë të tjerë, edhe unë personalisht kam qenë shpresëplot në këtë lidership; nuk e mohoj. Jam përpjekur të bëj punën time, kam shpreh shqetësimet në forumet e partisë (qoftë edhe në rastet e rralla që një mundësi e tillë na është dhënë). Moskonsiderata e personalizimi i skajshëm i udhëheqjes së partisë ka vazhduar. Jo më! Jo me mua, të paktën!
Data e sotit koincidon me Ditën e Presidentit, një celebrim demokratik që Presidenti Historik, Dr. Ibrahim Rugova, e kishte institucionalizuar. Është pikërisht kjo figurë emblematike e kombit tonë që më ka dhënë e vazhdon të më jep frymëzim për të ardhmen dhe politikën. Janë urtësia e vizioni i palëkundur politik që shpërfaqte Presidenti Rugova si virtyte të politikës që do duhej të lartësoheshin sot. Dhe, pikërisht, për ta bërë këtë, unë lirohem nga këto pozita partiake, ashtu që me secilin që beson në LDK-në autentike rugoviste, në vizionin djathtist kombëtar, bazuar në urtësi politike, të mund të punojmë bashkërisht për interesin e kauzën kombëtare, e jo për tekamendjet e dikujt që pozitën personale e sheh si qëllim politik e nënshtrimin e përdorimin oportunist të të tjerëve si virtyt politik.
Nga thellësia e zemrës falëmnderoj secilin aktivist e aktiviste të LDK-së, secilin anëtar besnik të LDK-së, e secilin votues anekënd Kosovës dhe nga mërgata jonë (të cilët janë gurthemel i shtetit tonë)! U jam përjetësisht mirënjohes për nderin jetësor që me keni dhënë të isha Deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, si dhe Anëtar i KP dhe Kryesisë së LDK-së së fundi. Nuk ua harroj asnjëherë këtë besim dhe nuk po ndahem nga ju assesi. Andaj, me gjithë kapacitetin tim do vazhdoj angazhimin tim për kauzën tonë kombëtare, për idealet e ruajtjes dhe sforcimit të shtetit të Kosovës – sidomos në këtë kohë kritike për vendin – në bashkëpunim të ngushtë me miqët tanë të njëmendtë në Washington, DC. Përvoja ime në Capitol Hill tash e mbi dy dekada më ka mësuar shumëcka, por një është e vecantë (e thënë nga Presidenti Abraham Lincoln): “nuk mund t’i ikësh përgjegjësisë të së nesërmes duke i bishtruar asaj sot!”
Përzemërsisht juaji,
Faton Bislimi