Sanksionet e reja të perëndimit dhe konflikti me Izraelin, a e përballon dot Irani ekonomikisht luftën?

by Merita

Në një kohë që SHBA dhe BE duan sanksione të reja kundër Teheranit, vetë vendi do të bjerë në sy me lajme suksesi, si psh. lajmi se Irani ka arritur të shesë naftë më shumë se kurrë më parë në gjashtë vitet e fundit. E kjo megjithë sanksionet e SHBA, që vendosi në vitin 2018 presidenti Trump.

Ministri iranian për Naftën, Javad Ovji bëri të ditur në mars, se eksportet e naftës kanë sjellë më shumë se “35 miliardë dollarë” në arkën e shtetit iranian. “Armiqtë e Iranit” duan të ndalin eksportet tona të naftës, por sot ne mund të eksportojmë naftë ku të duam, dhe këtë me oferta shumë të mira, ka cituar Financial Times ministrin iranian.

banner

Miliarda të ardhura janë shumë të rëndësishme për vendin që të sigurojë paqen e brendshme sociale. Një pjesë e madhe e popullsisë i vuan drejtpërdrejt pasojat e sanksioneve ndërkombëtare, ato kanë sjellë rënien e fortë të valutës së vendit, rial dhe kanë rritur inflacionin, deri në 40%.

Profesori i ekonomisë në universitetin amerikan, Virgina Tech, Djavad Salehi-Isfahani, thotë për DW, se ashpërsimi i konflikteve gjeopolitike po ushtron një presion të ri ndaj valutës iraniane duke e zhvlerësuar edhe më shumë atë kundrejt dollarit amerikan. Në muajt e fundit rial humbi 25% të vlerës kundrejt dollarit. “Ky zhvlerësim i kursit të këmbimit reflektohet shpejt në çmime shumë më të larta, sepse Irani importon shumë mallra.” Sipas Salehi-Isfahani, Irani duhet të përgatitet për një periudhë të gjatë me inflacion të lartë.

Standardi jetësor si në vitin 2005

Për shkak se Irani nuk i siguron dot vetë artikujt ushqimorë, rënia e vlerës së valutës dhe inflacioni i lartë bëjnë që të rriten ndjeshëm çmimet e ushqimeve. “Kjo ka efekt të fortë tek mirëqenia e pjesës më të varfër të popullsisë, sepse sigurimi i artikujve ushqimorë përbën gjysmën e shpenzimeve të tyre”, thotë eksperti për ekonominë e Lindjes së Mesme.

Por gjendja është keqësuar edhe për shtresën e mesme në dy dekadat e fundit. “Standardi i jetesës është sërish në nivelin e para 20 viteve për shkak të sanksioneve”, thekson Isfahani. Edhe vëllimi ekonomik ka këtë nivel ndoshta vetëm pak përqind më lartë, thotë eksperti.

Situata ekonomike e Iranit varet shumë nga eksportet e naftës. Që kur më shumë se 90% e naftës shkon në Kinë, po humbasin gjithnjë e më shumë efektin edhe sanksionet e perëndimit. Prandaj pushtetmbajtësit në Teheran janë shumë të shqetësuar, nëse sektori i naftës, që është burimi kryesor i devizës mund të bëhej objekt i një sulmi si kundërpërgjigje nga ana e Izraelit. Isfahani e formulon kështu situatën në Teheran.

“Jam shumë i sigurt, që ata janë shumë të shqetësuar, sepse një luftë, që mund të dëmtojë edhe infrastrukturën për eksportet e naftës do të ishte një goditje e rëndë për ekonominë.” Pas shokut që shkaktuan sanksionet e vendosura nga SHBA në vitin 2018, Irani ka arritur ndërkohë sërish 80% të sasisë së eksportit të atëhershëm. Por kjo nuk ka çuar në përmirësimin e jetesës për popullsinë, pasi shumica e burimeve financiare shkojnë për forcimin ushtarak të vendit dhe masa të tjera të regjimit të mullahëve.

Korrupsion dhe mungesë transparence

Shumë para zhduken po ashtu në strukturat jo transparente të pushtetmbajtësve shiitë në Teheran. Në indeksin e Transparency International për perceptimin e korrupsionit, Irani zë vendin e 149 nga 180 vende. Shumë i paqartë është edhe roli i Gardës së Revolucionit, një ushtri paralele, dhe ai i fondacioneve fetare, që kontrollojnë pjesë të rëndësishme të ekonomisë iraniane.

Ata nuk paguajnë tatime, nuk duhet të paraqesin bilance ekonomike dhe janë të varura direkt nga kreu politik dhe fetar i Republikës Islamike, Ajatollah Ali Khamenei.

Për ekspertin e Lindjes së Mesme, Martin Beck nga Universiteti i “Southern Denmark” (SDU) ekonomia e Iranit përbëhet nga një “përzierje e sferës politike dhe ekonomike që nxit një politikë klienteliste dhe të shpërndarjes që është e lidhur ngushtë me korrupsionin.”

Megjithëse të ardhurat nga shitja e naftës janë stabilizuar në vitet e fundit, Irani është gjithçka tjetër, por jo një fuqi ekonomike. Megjithëse popullsia e tij me 88 milionë banorë është gati 10 herë më e lartë se ajo e armikut të tij të vjetër, Izraelit me 9 milionë banorë, vëllimi i ekonomik i Iranit me 413 miliardë dollarë është dukshëm më i ulët se ai i Izraelit, me 525 miliardë dollarë. Kështu se si do të zhvillohet ekonomia e vendit, varet shumë nga efekti i sanksioneve të reja perëndimore, nëse ato do arrinin t’i ulnin ndjeshëm eksportet e naftës.

Eksportet e naftës vendimtare

Teherani ia ka dalë në tre muajt e parë të këtij viti të shesë mesatarisht 1,56 milionë fuçi nafte në ditë, dhe gati të gjithën tek Kina. Kjo ka qenë vlera më e lartë e shitjeve që nga viti 2018.

“Iranianët e zotërojnë mirë artin e anashkalimit të sanksioneve”, citohet Fernando Ferreira i “Rapidan Energy Group” nga gazeta Financial Times. “Nëse qeveria e Bidenit do të arrijë vërtet diçka këtu, ajo duhet që ta vendosë fokusin tek Kina.”

SHBA vetë është ndërkohë shumë më e pavarur nga eksportet e naftës nga Lindja e Mesme. Megjithatë ashpërsimi i sanksioneve kundër Iranit do të çonte në rritje të çmimit të naftës në tregjet botërore dhe do të kishte pasoja edhe në rritjen e inflacionit. Për presidentin Biden në këtë vit zgjedhor kjo do të thoshte t’i hapte vetë derën rivalit të tij, Donald Trump.

Por pavarësisht, nëse sanksionet shkallëzohen ose jo – Do të ishte ekonomia e Iranit gati të përballonte një shkallëzim të konfliktit me Izraelin? Përgjigja e profesorit të ekonomisë, Djavad Salehi-Isfahani është e qartë: “Në tërësi ajo nuk është gati për një konflikt të gjatë luftarak. Prandaj ata (pushtetmbajtësit në Teheran, shën.red.) kanë treguar shumë kujdes të mos përzihen shumë në luftën e Gazës. Dhe sulmi kundër Izraelit ishte më shumë një gjë simbolike, se sa një sulm që donte vërtet të sillte dëme.”/DW

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy