Asociacioni i Komunave të Kosovës ka kundërshtuar ligjin e ri për kadastër, kompetencë kjo që ka qenë e deleguar te komunat që tashmë është centralizuar. E për këtë, këshilli i kryetarëve në kuadër të Asociacionit ka rekomanduar kryetarët e komunave që mos të nënshkruajnë ndonjë marrëveshje të mirëkuptimit me nivelin qendror sa i përket marrjes së kësaj kompetence derisa nuk amandamentohet ligji për financa lokale.
Kështu bënë të ditur drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, i cili thotë se është një tendencë për marrjen e kompetencave të nivelit lokal dhe bartja e tyre në nivel qendror.
Ibrahimi në një intervistë për KosovaPress, derisa shprehet i pakënaqur me nivelin qendror lidhur me ligjin e ri për kadastër, pasi thotë se kjo kompetencë nuk mund të merret njëherë derisa të amandamentohet ligji për financa lokale.
Ai ka ritheksuar se asociacioni dhe kryetarët e komunave që disa kohë kanë kërkuar që ligji për financa lokale të amandamentohet, pasi me këtë ligj do të zgjidhen shumë probleme.
Ndërsa, brengë tjetër e adresuar nga kryetarët e komunave është anashkalimi i kryetarëve të komunave gjatë vizitave të ndryshme të nivelit qendror që po bëhen në nivelin lokal në përurimin e projekteve të ndryshme, apo vizitave që po bëhen në terren.
Sfidë tjetër për komunat mbetet procesi i rekrutimit të mësimdhënësve, si dhe në disa raste anashkalimi i kryetarëve të komunave gjatë vizitave të ndryshme të nivelit qendror që po bëhen në nivelin lokal.
Derisa ka renditur sfidat që po ballafaqohen komunat, Ibrahimi nënvizon se procesi i rekrutimit është shumë i vështirë dhe po merr me muaj të tërë. Për këtë, ai kërkon zgjidhje urgjente të këtyre problemeve nga niveli qendror.