Shefja shqiptare e Teknologjisë në kompaninë OpenAI, Mira Murati, ka njoftuar përmes një postimi në Twitter se aplikacioni i ChatGPT-s për iOS tani është i disponueshëm në një sërë vendesh të tjera përfshirë Shqipërinë.
Ditë më parë, ajo njoftoi se ky aplikacion për përdoruesit iOS është lansuar në SHBA.
Tani, aplikacioni i këtij chatboti për përdoruesit iOS është lansuar në Shqipëri, Kroaci, Francë, Gjermani, Irlandë, Xhamajkë, Kore të Jugut, Zelandë të Re, Nicaragua, Nigeri dhe në Mbretëri të Bashkuar.
Siç njoftoi Murati ditë më parë, aplikacioni pritet të vijë edhe për përdoruesit android.
Chatboti me Inteligjencë Artificiale, ChatGPT i kompanisë OpenAI, ka fituar mjaft popullaritet tek përdoruesit nëpër botë, që kur u lansua muaj më parë.
ChatGPT mund të kthejë përgjigje të ngjashme me atë të njeriut, dhe mund të shërbejë si mjet për detyra të shumta e një ndër to edhe për kodim.