Sa të rëndësishme janë armët e SHBA-së për Izraelin?

by Merita

Shtetet e Bashkuara janë furnizueset më të mëdha të Izraelit me armë. Ato e kanë ndihmuar atë të ndërtojë një nga ushtritë më të sofistikuara në botë. Sipas Institutit Ndërkombëtar për Kërkime të Paqes në Stokholm (SIPRI), SHBA-ja ka përbërë 69% të importeve të Izraelit me armë kryesore konvencionale në periudhën 2019-2023.

Izraeli merr, gjithashtu, 3.8 miliardë dollarë ndihmë ushtarake vjetore nga SHBA-ja, në bazë të një marrëveshjeje 10-vjeçare, e cila synon t’i garantojë atij “përparësi ushtarake cilësore” ndaj vendeve fqinje.

banner

Por, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, paralajmëroi këtë javë aleatin e tij se SHBA-ja do t’i ndalojë furnizimet me disa armë, nëse ai nis operacion të madh tokësor në qytetin Rafah të Gazës. Izraeli beson se ky qytet është bastion i Hamasit – grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera – i cili ka sulmuar tokën e tij, në tetor të vitit të kaluar, duke vrarë mbi 1.200 njerëz.

Në ofensivën hakmarrëse të Izraelit në Gazë, e cila vazhdon ende, janë vrarë afro 35.000 njerëz, sipas autoriteteve në enklavë. Zyrtarët amerikanë druajnë se operacioni i Izraelit në Rafah – ku popullsia është shtuar me refugjatë nga pjesë të tjera të Gazës – mund të çojë në numër të madh të viktimave civile.

“Ne nuk do ta furnizojmë [Izraelin] me armë dhe predha artilerie [nëse pushton Rafahun]”, tha Biden në një intervistë për rrjetin televiziv CNN, e cila u transmetua të mërkurën. Në ditët pas sulmit të Hamasit më 7 tetor, Biden ka thënë se SHBA-ja “do t’i japë ndihmë shtesë ushtarake” Izraelit.

Por, që nga ajo kohë, vetëm dy shitje ushtarake të SHBA-së në Izrael janë bërë publike – njëra prej 14.000 municionesh për tanke, me vlerë 106 milionë dollarë, dhe tjetra me predha artilerie, me vlerë 147 milionë dollarë.

Mediat amerikane raportojnë se administrata Biden ka bërë heshturazi edhe së paku 100 shitje të tjera ushtarake në Izrael, por vlera e tyre ka qenë nën shumën që do të kërkonte të njoftohej Kongresi. Ato thuhet se kanë përfshirë mijëra municione precize, bomba me diametër të vogël, armë të vogla e të tjera.

Pavarësisht kësaj, raporti i SIPRI-t thotë se vëllimi i përgjithshëm i importeve ushtarake të Izraelit nga SHBA-ja në vitin 2023, ka qenë pothuajse i njëjtë me atë të vitit 2022. Këtë javë, Shtetet e Bashkuara e pezulluan një dërgesë armësh në Izrael, me bomba të rënda, të cilat ushtria izraelite i përdor në fushatën e saj të sulmeve në Gazë. Sipas zyrtarëve amerikanë, Uashingtoni ndaloi dërgesën që përbëhej nga 1.800 bomba prej 907 kilogramësh dhe 1.700 bombave më të lehta.

Vendimi u mor për shkak të shqetësimeve për ndikimin që do të mund të kishin ato në “mjediset e dendura urbane”, tha një zyrtar amerikan duke folur në kushte anonimiteti, raporton Reuters. Sipas tij, presidenti amerikan ishte i përfshirë në këtë vendimmarrje.

Në intervistën dhënë CNN-it, Biden e konfirmoi ndalimin e kësaj dërgese. “Civilë në Gazë janë vrarë si pasojë e këtyre bombave”, tha ai kur u pyet për bombat prej 907 kg, të dërguara në Izrael. Izraeli mohon se i ka në shënjestër civilët palestinezë, duke thënë se interes i tij i është vetëm ta asgjësojë Hamasin.

Bomba prej 907 kg kanë ndikim në një zonë të gjerë.

Sipas Kombeve të Bashkuara, “presioni nga shpërthimi mund t’i çajë mushkëritë, t’i shpërthejë zgavrat e sinusit dhe t’i këpusë gjymtyrët e njerëzve edhe qindra metra larg vendit të shpërthimit”. Pas paralajmërimit të fundit të Bidenit, se nuk do t’i dërgojë armë dhe predha artilerie Izraelit nëse pushton Rafahun, kryeministri izraelit tha se “asnjë presion nuk do ta ndalojë Izraelin të mbrohet”.

“Tetëdhjetë vjet më parë, në Holokaust, populli hebre ishte plotësisht i pambrojtur kundër atyre që deshën shkatërrimin tonë. Asnjë komb nuk na erdhi në ndihmë. Sot, ne përsëri përballemi me armiq që duan shkatërrimin tonë”, tha Netanyahu. “Hamasi e do Bidenin”, shkroi në X ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy