Fjalimi i parë i Gordana Siljanovska-Davkovës si presidente e Maqedonisë së Veriut solli krisje me Greqinë pasi ajo iu referua vendit të saj si Republika e Maqedonisë duke shmangur fjalën “e veriut”. Kjo qasje e Presidentes ka sjellë reagimin e Athinës zyrtare ku kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka reaguar në një postim në rrjetet sociale duke thënë se Presidentja e re e Maqedonisë së Veriut zgjodhi të provokojë duke shkelur tekstin zyrtar të betimit dhe duke e quajtur vendin e saj me një emër tjetër, gjë që sipas Mitsotakisht është “e paligjshme dhe e papranueshme”.
“Zgjedhja provokuese e Presidentes së re të Maqedonisë së Veriut për të shkelur tekstin zyrtar të betimit dhe për ta quajtur vendin e saj me një emër tjetër është një nismë e paligjshme dhe e papranueshme. Një akt që shkel Marrëveshjen e Prespës dhe Kushtetutën e vetë shtetit të saj. Duke minuar sidoqoftë të ardhmen e vendit gjithashtu, siç kanë deklaruar edhe Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen dhe Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel”, tha ai.
Greqia nuk do t’i pranojë deklarata të tilla dhe thekson se çdo përparim në marrëdhëniet dypalëshe, por edhe çdo hap i Shkupit drejt Europës, do të varet nga respektimi “i sinqertë i asaj që është rënë dakord”.
“Nga përdorimi i drejtë i emrit kushtetues nga shteti fqinj dhe sigurisht nga shmangia e sfidave të tilla”, tha Mitsotakis duke i bërë thirrje Davkovës që t’i kthehet detyrave ligjore dhe sjelljeve të rolit që ajo ka marrë tashmë.
Mediat greke i kanë bërë jehonë edhe reagimit të BDI-së, e cila tha se përveçse Davkova dhunoi Kushtetutën krijoi një krizë në marrëdhëniet ndërkombëtare të vendit.
“Presidentja foli për unitet, por gjatë fjalimit të saj, përpos që e ngriti në qiell, Kryetarin e partisë së saj, po ashtu përmendi në një rast edhe Kryetarin e një partie tjetër, duke përmendur vetëm dy liderë në bllokun politik maqedonas dhe duke i përjashtuar kështu nga thirrja për unitet gjithë të tjerët. Përveç që ishte fjalim për 8 Mars nuk pati asgjë substanciale, nuk u përmend asgjë sa i përket NATO-s, BE-së, procesit eurointegrues. Nuk u përmend asgjë sa i përket marrëdhënieve të mira ndëretnike. Nuk u përmend fare Marrëveshja e Ohrit, Marrëveshja e Prespës, Traktati i Miqësisë me Bullgarinë”, tha Arbër Ademi.
Fjalimi i presidentes së re të RMV-së nuk u prit mirë as nga Bashkimi Europian.
“BE rikujton rëndësinë e respektimit të plotë të marrëveshjeve ekzistuese, ligjërisht të detyrueshme, përfshirë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë,” tha zëdhënësi Peter Stano.
Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, në një postim në rrjetin X (Tëitter) tha se “që Maqedonia e Veriut të vazhdojë rrugën e saj të suksesshme drejt anëtarësimit në BE, është më e rëndësishme që vendi të vazhdojë në rrugën e reformave dhe respektimin e plotë të marrëveshjeve të tij detyruese, përfshirë edhe Marrëveshjen e Prespës”.
Presidenti i Këshillit të Europës, Charles Michel është shprehur i zhgënjyer me presidentin e re të Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova pasi nuk respektoi emrin kushtetues të shtetit.
“Shumë zhgënjyese që presidentja e re e Maqedonisë së Veriut nuk përdori emrin kushtetues të vendit gjatë ceremonisë së sotme të betimit. BE rikujton rëndësinë e zbatimit të vazhdueshëm të marrëveshjeve ligjërisht të detyrueshme, përfshirë marrëveshjen e Prespës me Greqinë”, tha ai.
Gordana Silianovska-Davkova u bë të dielën gruaja e parë presidente e Maqedonisë së Veriut pasi fitoi zgjedhjet presidenciale më 8 Maj. Ajo u betua se “do të mbrojë sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e Republikës së Maqedonisë” duke e shmangur emrin kushtetues të vendit, Maqedonia e Veriut. Këtë e kishte paralajmëruar edhe gjatë fushatës së saj.
Në vitin 2018 u arrit një marrëveshje në Prespë me Greqinë për ndryshimin e emrit nga Maqedoni në Maqedonia e Veriut, duke i dhënë fund mosmarrëveshjeve shumëvjeçare dhe duke i hapur rrugën përpjekjeve të vendit për integrim në BE dhe NATO.
Ambasadorja e Greqisë në Shkup, Sofia Filipidou, e braktisi ceremoninë e betimit të presidentes në shenjë proteste pse Davkova e përmendi emrin e vjetër “Republika e Maqedonisë” gjatë procesit, sipas deputetit të VMRO DPMNE-së, Antonio Milloshoski.
Presidenti në Maqedoninë e Veriut ka kompetenca të kufizuara.
Presidenti është komandant i përgjithshëm i Forcave të Armatosura të vendit. Ai dekreton mandatarin për formimin e Qeverisë së re, emëron dhe shkarkon me dekret ambasadorët, pranon letra kredencialet dhe letrat e revokimit të përfaqësuesve të huaj diplomatikë.
Roli i presidentit është edhe të propozojë dy gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese si dhe dy anëtarë të Këshillit Gjyqësor, të propozojë guvernatorin e Bankës Popullore, të caktojë disa drejtues në postet e sigurisë.
Presidenti, gjithashtu, ka të drejtën e faljes në përputhje me dispozitat ligjor si dhe kryen funksione të tjera të përcaktuara me Kushtetutën maqedonase./tvklan.al