Derisa kanë mbetur edhe dy ditë deri në mbledhjen e Komitetit të Ministrave, Kosova po tenton të bëjë përpjekjet e fundit që në agjendën finale të përfshihet edhe kërkesa e saj për anëtarësim pa e plotësuar kushtin e vendosur rreth Asociacionit nga Franca e Gjermania. Presidentja Vjosa Osmani telefonoi homologun e saj gjerman për ta bindur që qytetarët e Kosovës meritojnë qasje në organizatën e të drejtave të njeriut dhe se kjo përbën fitore edhe për vetë Këshillin.
“Dje fola me presidentin gjerman Frank-Walter Steinmeier për të diskutuar anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Europës. Theksova rëndësinë kritike për përfundimin me sukses të këtij procesi, për të siguruar që të gjithë qytetarët tanë të përfitojnë sa më shpejt nga instrumentet e Këshillit. Anëtarësimi ynë nuk do të ishte vetëm një fitore për të drejtat e njeriut në Kosovë, por edhe një fitore për kontinentin tonë dhe vlerat mbi të cilat ai qëndron fuqishëm”, tha Osmani.
Kësaj bisede të shefes së shtetit i parapriu një njoftim i zëvendësministrit të Jashtëm, Kreshnik Ahmeti, që edhe një takim në Strasburg dje u humbi si mundësi për ta futur Kosovën në agjendë.
“Në takimin e sotëm të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, i mbajtur në nivel të Përfaqësuesve të Përhershëm të vendeve anëtare, nuk u adresua rekomandimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në lidhje me aplikimin e Kosovës”.
Ahmeti tha se megjithëse ka mbështetje për vendosjen e anëtarësimit të Kosovës në agjendën e Ministerialit të 17 majit, kushti për Asociacionin u bë arsye që të mos ndodhë.
“Qëndrimi i disa vendeve që Kosova duhet ta pranojë draft statutin e Miroslav Lajcak për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe ta dërgojë atë në Gjykatë Kushtetuese, në një mënyrë që është e pranueshme për Gjykatën, bëri që pika e Kosovës të mos vendoset sot në agjendën e ministrave të jashtëm”.
Sipas procedurës, tashmë nuk ka mbetur asnjë hap tjetër përveç votimit përfundimtar nga ministrat e jashtëm, sipas Opinionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. Por, siç thotë edhe Ahmeti, ka gjasë që ky votim të shtyhet
“Shtyrja eventuale vjen si rezultat i ngatërrimit të dy proceseve të pavarura, me ç’rast Këshilli i Evropës po shfrytëzohet si levë presioni mbi Kosovën për ta pranuar draft Statutin e Lajçakut dhe për ta dërguar atë në Kushtetuese, në shpërputhje gjithashtu edhe me procesin e dialogut në Bruksel”, thotë ai.
Ndërkaq, publicisti Veton Surroi thotë se procesi mund të lihet edhe për majin e vitit të ardhshëm nëse humb mundësia e sivjetme.
“Përderisa i shkruaj këta rreshta, ka më shumë siguri që votimi për anëtarësim të Kosovës në Këshill të Europës të shtyhet sesa që këtë javë Kosova të anëtarësohet në këtë organizatë. Dhe, nëse shtyhet, mund të ndodhë që të shtyhet madje edhe për majin e vitit 2025.
Surroi thotë se sheh dy mënyra se si të analizohet kjo ngjarje.
“Njëra është në formë konvencionale: Kosova nuk do të pranohet në Këshill të Evropës, për shkak se nuk i përmbushi kërkesat e parashtruara para saj”.
Dhe tjetra është gjeopolitike, sipas tij.
“Në këtë formë interpretimi, Këshilli i Evropës, një institucion themeltar i bashkimit të evropianëve pas Luftës së Dytë Botërore, nuk do ta mbulojë nën strehën e vet një shtet evropian me ndjenjë të theksuar evropiane, Kosovën”.
Ai tha se në garën mes konvencionit dhe gjeopolitikës nuk fitoi asnjëra.
Megjithatë, më shumë optimizëm shpreh drejtori i ESI-it, Gerald Knaus, që së fundi është marrë në mënyrë intensive me këtë çështje.
“Ndryshe nga disa raportime pesimiste: Ka ende një rrugë të mirë përpara që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Europës së shpejti. Kërkon lidership, siç kërkon çdo përparim në politikë. Dhe një referencë e qartë për standardet e Këshillit të Europës, që vlejnë për të gjitha shtetet anëtare. As më pak, as më shumë”, thotë ai
Agjenda finale e mbledhjes së Komitetit të Ministrave më 17 maj do të dihet po këtë ditë. Ajo mund të ndryshohet edhe në minutat e fundit, siç kishte deklaruar ambasadori gjerman, Jorn Rohde, i cili pati udhëzuar Kosovën që të marrë “vendimin e guximshëm”