Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, thotë se mos anëtarësimi në Këshillin e Evropës është kronikë e një dështimi të paralajmëruar, pasi kushti për asociacion erdhi si pasojë e humbjes së besimit të Qeverisë Kurti nga aleatët e Kosovës.
Ajo thotë se e vetmja mënyrë për të dalë nga gjendja aktuale janë zgjedhjet e reja.
Ish-ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në një intervistë për KosovaPress thotë se ekzekutivi se ka trajtuar seriozisht procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Ka qenë një kronikë e një dështimi të paralajmëruar. Ju e dini se PDK-ja e ka mbështetur procesin e aplikimit dhe anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, sikurse kemi insistuar që qeveria mos të humbë kohë, por të aplikojë menjëherë pas përjashtimit të Rusisë nga kjo organizatë që është bërë dy vite më parë. Arsyeja e vetme që deri tani ka qenë i pamundur procedimi i aplikacionit të Kosovës ka qenë Rusia dhe fuqia e madhe që ka pasur Federata Ruse brenda strukturave të ndryshme të Këshillit të Evropës. Fatkeqësisht, Qeveria e Kosovës në vend që të trajtojë këtë proces seriozisht, në vend që të koordinojë hapat me aleatët tanë, ka bërë veprime të njëanshme, të pakoordinuara, ka prodhuar cikle të pafundme krizash dhe tensione që rezultuan me kushte shtesë për Kosovën. Këto kushte shtesë ne i kemi cilësuar të padrejta, megjithatë ato kanë ardhur si rezultat i humbjes së besimit të aleatëve tanë, në fjalën e dhënë të krerëve të institucioneve të Kosovës. Do të thosha me keqardhje se ndoshta më i rëndë se vetë akti i dështimit të Kosovës për anëtarësim është humbja e besimit të aleatëve në bartësit e institucioneve të Kosovës. Në fund, pamë një shfaqje qesharake, për keqardhje, skandaloze, një letër që ishte e gabuar, si në formë si në mesazhin që e përçonte tek aleatët tanë”, thotë Çitaku.
Sipas saj, tentativa e fundit e qeverisë që të hartojë një draft të asociacionit dhe të dërgojë në Kushtetuese deri në fund të muajit maj ishte e gabuar.
“Aleatët e Kosovës, posaçërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka më shumë sesa dy vite që i kanë ofruar Qeverisë së Kosovës ekspertizën e tyre, profesionistë që të ndihmojnë Kosovën në hartimin e draft-statutit për asociacionin. Fatkeqësisht kemi pasur një refuzim kryeneç nga ana e kryeministrit të Kosovës dhe bartësve të tjerë të institucioneve për t’u marrë me këtë çështje. Ju e dini që kryeministri e ka trajtuar procesin e dialogut dhe raportet me aleatët tanë në mënyrë tërësisht arrogante, noshalante dhe ka pasur një qasje aventureske karshi sfidave dhe problemeve që ka Kosova në procesin e përmbylljes së dialogut me Serbinë, si dhe atë të fuqizimit të subjektivitetit ndërkombëtar. Është për keqardhje që kemi ardhur në këtë pikë”, deklaron sekretarja e PDK-së.
Duke folur për letrën që krerët evropianë dërguar kryeministrit Kurti duke e kushtëzuar pranimin e Kosovës në KiE me themelimin e asociacionit, Çitaku thotë se Kosova asnjëherë në historinë e saj politike nuk ka pranuar një demarsh kaq të ashpër.
“Nuk mbaj mend në historinë e re politike të Kosovës të kemi pranuar një demarsh aq të ashpër. Thënë të drejtën, kryeministri e ka sjellë vetveten, por edhe Kosovën në një pozitë të pamundur. Me këtë qeveri, me këtë kryeministër dhe këtë mendësi nuk shoh mundësi që të ecim tutje. Duhet një ri-kalibrim i plotë të peizazhit politik në Kosovë. Zgjedhjet janë mënyra e vetme që Kosova të ketë një qeveri të re të prirë nga kryeministri Bedri Hamza që do të ri-poziciononte Kosovën në një situatë më të favorshme dhe do ta nxirrte nga ky qorrsokak që jemi sot”, thotë ajo.
Sa i përket procesit të dialogut Kosovë-Serbi, sekretarja e PDK-së Vlora Çitaku thotë se i njëjti ka degraduar.
“Kemi pasur degradim të plotë në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Qasja e papërgjegjshme dhe sjellja aventureske e kryeministrit Kurti ka bërë që ambicia e aleatëve tanë të zbehet. Nga një pozicion ku është kërkuar qartë nga dy president amerikan të njëpasnjëshëm që dialogu të përfundojë me një marrëveshje finale gjithëpërfshirëse me njohjen reciproke në qendër. Ndërkaq ne kemi përfunduar me një marrëveshje, e cila nuk është finale, nuk është përfshirëse dhe nuk e ka njohjen reciproke në qendër, por e ka mosnjohjen reciproke dhe nenin shtatë që nuk është thjesht një asociacion, por një autonomi politike dhe territoriale. Ne jemi të bindur që në rast që institucioneve të reja që do të dalin pas zgjedhjeve, ne besojmë se do t’i udhëheqë kryeministri Bedri Hamza do të tregojnë seriozitet, ne do të mund të ngremë nivelin dhe rrisim angazhimin e ndërmjetësve tanë”, përfundon Çitaku.