Komuna e Prishtinës, në bashkëpunim me Bashkinë e Lezhës, do të organizojnë ngjarjen “Shije Lezhe n’Prishtinë”, e cila promovon kulturën, muzikën, argëtimin, artin, gastronominë, panairin dhe ofertat turistike.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka thënë se e ka mirëpritur në Odën e Kryeqytetit, kryetarin e Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu.
Rama ka shtuar se kanë diskutuar për detajet e fundit të festës së sotme.
“Me shumë kënaqësi mirëprita në Odën e Kryeqytetit, kryetarin e Bashkisë së Lezhës, z. Pjerin Ndreu. Diskutuam për detajet e fundit të festës së sotme të orës 18:00 e cila do të mbahet në sheshin “Xhorxh Bush” në Kryeqytet. Lezha e Prishtina janë qytete unike në llojin e tyre, janë në hovin e tyre të zhvillimit të jashtëzakonshëm dhe ky përafrim krejtësisht i natyrshëm sa edhe i domosdoshëm, tregon për vëllazërinë tonë, gjakun, gjuhën, flamurin e kombin e përbashkët. Organizime si ky i sotmi, uroj e këshilloj që të kthehen në një kalendar të përvjetshëm në shumë fusha – kulturë, sport, art, turizëm e gjithçka që bashkon. Lezha e Prishtina kanë shumë për t’i ofruar njëra –tjetrës”, ka thënë Rama.