Lidhja Demokratike e Kosovës teksa po e kërkon dorëheqjen e Kryeministrit Albin Kurti për shkak të “dështimin spektakolar” siç e thonë shpesh zyrtarët e këtij subjekti përfshire edhe kreun partiak Lumir Abdixhikun, po hedh hapa përgatitor për zgjedhjet e ardhshme. Dy net më parë në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LDK’së u vendos që në garë për deputetë do të jenë edhe Kryetarët aktualë të Pejës, Lipjanit dhe Fushë Kosovës të cilët për disa mandate i kanë fituar zgjedhjet dhe udhëheqin në këto komuna. Zëdhënësi i LDK’së Besian Mustafa në një prononcim ka shpjeguar se cila është qëllimi i tyre më këtë lëvizje.
Të martën kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka drejtur edhe një mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm, prej ku edhe kanë përcaktuar disa emra të cilët do të jenë në listë për deputetë. Siç ka mësuar Gazeta Express nga burimet e veta, kryetarët e Pejës, Lipjanit dhe Fushë Kosovës do të jenë në listë për deputetë të LDK-së kurdo që të mbahen zgjedhjet. Gazmend Muhaxheri, Imri Ahmeti e Burim Berisha i kanë fituar disa herë radhazi zgjedhjet në komunat e tyre dhe LDK llogarit se kjo strategji do t’i funksionojë.
Por pse pikërisht LDK ka vendosur për Gazmend Muhaxherin, Imri Ahmetin e Burim Berishën. Në një prononcim për Gazetën Express për këtë çështje ka folur zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa.
Mustafa ka thënë se nga kryetarët aktual që LDK ka nëpër komuna, deri më tani janë konfirmuar vetëm këta tre emra që do të jenë në listë për deputet.
“Kjo do forcojë orientimin e djathtë në Kosovë, tashmë nevojë jetike për të ardhmen tonë euroatlantike. Parimisht, do të trajtohen veç e veç të gjitha propozimet nga degët, përfshirë kryetarët e tyre të degëve dhe komunave. Propozimet fillimisht realizohen në nivel të degëve sipas kuotave të miratuara dje në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm. Natyrisht, lista përfundimtare ende nuk është përpiluar. Në ndërkohë, lista përfundimtare miratohet nga organet e Partisë dhe për të gjithë emrat do ju njoftojmë me kohë”, ka thënë Mustafa për Express.
Lidhur me atë nëse përcaktimi i emrave për deputetë nënkupton ndonjë nuhatje që mund të ketë zgjedhje të reja shpejt, Mustafa ka thënë se LDK është e gatshme në çdo kohë.
Ai për Express ka theksuar se LDK është partia e vetme që ka publikuar programin politik “Rruga e Re” qysh në nëntor të vitit 2023.
Zëdhënësi i LDK-së ka thënë se kryeministri Albin Kurti duhet të pranojë përgjegjësinë për dështim në të gjitha fushat dhe të japë dorëheqje dhe pastaj të procedohet me shpërndarje Kuvendi dhe caktim të datës së zgjedhjeve.
“Sa i përket zgjedhjeve, LDK është e gatshme për to në çdo kohe. Jemi partia e vetme që kemi publikuar programin politik ‘Rruga e Re’ që nga nëntori i vitit te kaluar. z. Kurti duhet të pranojë përgjegjësinë e dështimeve të tij në diplomaci, dialog, ekonomi, arsim, shëndetësi dhe çdo sferë tjetër duke dhënë dorëheqje. Pastaj shpërndahet Kuvendi dhe caktohet data e zgjedhjeve”, ka përfunduar Mustafa
Në zgjedhjet e fundit lokale të mbajtur në vitin 2021, LDK me Gazmend Muhaxherin në Pejë ka marrë 16 mijë e 45 vota, në Fushë Kosovë me Burim Berishën gjithashtu kanë dalë të parët me 5 mijë e 574 vota dhe Imri Ahmeti që udhëheq me Lipjanin kishte marrë 12 mijë e 614 vota. Të tre këta kryetarë nga radhët e LDK-së janë duke drejtuar komunat e tyre për disa mandate radhazi.
Përmendja e një mundësie për të shkuar në zgjedhje të reja ka vënë në lëvizje partitë politike opozitare. AAK-ja e Ramush Haradinajt ka lidhur koalicion me partinë e ish-bashkëluftëtarit Fatmir Limaj qysh në janar të këtij viti. Ndërkohë që darka e ftuar nga kryeministri Albin Kurti, e ku edhe tema e zgjedhjeve ka qenë në agjendë, ka bërë që edhe partitë e tjera opozitare të ndezin motorët.
PDK gatishmërinë e saj për të shkuar në zgjedhje e ka treguar kur ka pranuar që t’i shkojë Kurtit në darkën e ftuar, e LDK ndonëse ka refuzuar ftesën e liderit të VV-së, në prapaskenë s’i kanë munguar lëvizjet përgatitore për zgjedhje të reja të mundshme.
Por, ideja për shpërndarjen e Kuvendit dështoi të mërkurën dhe duket se Kurti do të jetë në karrigen e Kryeministrit deri në fund të mandati në fillim të vitit të ardhshëm