Nga presidenti Aleksandër Vuçiq, te kryeministri Millosh Vuçeviq, ministri i Jashtëm, Marko Gjuriç e deri te ministri i Mbrojtjes, Bratislav Gashiç, të gjithë po lëshojnë deklarata kërcënuese dhe paralajmëruese për veprime të mundshme për të ruajtur, siç thonë ata, territorin, përfshirë Kosovën.
Shefi i qeverisë në Beograd zbuloi dhe njëherë se ka frikë që Prishtina mund ta padisë vendin e tij për gjenocid, pas miratimit të rezolutës në OKB për Srebrenicën, ndërsa konfirmoi frikën se serbët e Kosovës nuk po i binden më Vuçiqit.
“E vetmja mënyrë që serbët në Kosovë të mbijetojnë është të qëndrojnë të bashkuar, të mos bien në provokimet e regjimit të Kurtit dhe të mbeten në bashkëpunim me Beogradin zyrtar. Nëse Kurti arrin t’i përçajë serbët në Kosovë, perspektiva e popullit tonë në territorin e krahinës në Serbinë jugore nuk do të jetë e mirë”, tha kryeministri serb Millosh Vuçeviq.
Ministri i jashtëm, Marko Gjuriç, përsëriti qëndrimin se vendi i tij do të luftojë për mbajtjen e Kosovës brenda territorit të Serbisë, duke mos pranuar realitetin që tashmë është një shtet tjetër dhe i pavarur.
“Ruajtja e Kosovës brenda kufijve të Serbisë është e një rëndësie më të madhe kombëtare. Garantimi i sigurisë së serbëve në Kosovë përmes mjeteve diplomatike mbetet prioriteti ynë kryesor”, deklaroi Gjuriç.
Ministri serb i mbrojtjes, Bratislav Gashiç, ka shkuar shumë pranë kufirit me Kosovës, në Vranjë, ku vizitoi pjesëtaret e Brigadës së Katërt të Ushtrisë Tokësore.
“Ministri Gashiç i njohu pjesëtarët e Brigadës së Katërt për kryerjen profesionale, të përgjegjshme dhe të suksesshme të detyrave në vijën administrative me Kosovën dhe në Zonën e Sigurisë Tokësore me të gjitha sfidat që sjellin këto detyra. Ai përkujtoi se pjesëtarët e brigadës janë gjithmonë të parët që thirren kur nevojitet ndihma e popullatës”, thuhet në një njoftim të Ministrisë serbe të Mbrojtjes.
Ministri serb inspektoi nga afër dhe disa armatime të kësaj brigade si raketahedhës dhe antitank.