Çfarë do të ndodhë me Urën mbi Ibër – në Mitrovicën e Veriut kërkohet hapja e saj, BE dhe KFOR duan dialog

by Nexhat

Pa ndonjë incident të theksuar dhe nën kujdesin e Policisë së Kosovës e forcave të KFOR-it, qarkullimi i njerëzve nëpër Urën e Ibrit që ndanë Mitrovicën në dy pjesë ka vazhduar ndër vite. Megjithatë, ndonëse janë arritur dy marrëveshje në Bruksel e janë hartuar plane zbatimi, Ura e Ibrit vazhdon të mos jetë e hapur për qarkullimin e veturave. Kjo temë është riaktualizuar këto ditë, pas paralajmërimeve nga zyrtarë të ndryshëm se ajo do të hapet së shpejti. BE, si garantuese e dy marrëveshjeve, ka kërkuar për diçka të tillë duhet të vendoset në dialog.

Në agjendën e Qeverisë së Kosovës sa i përket veriut të Kosovës duket se është edhe hapja e Urës së Ibrit për qarkullim të veturave. Ky paralajmërim ka ardhur nga numri dy i Policisë së Kosovës, Veton Elshani, dhe nga Asamblistë të VV-së në Komunën Veriore të Mitrovicës që udhëhiqet nga Erden Atiq i VV-së.

Bashkimi Evropian ka reaguar duke thënë se vendimi për hapjen e Urës së Ibrit duhet të merret në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE në Bruksel. Të njëjtin qëndrim e ka përsëritur edhe KFOR-i sot.

Por cila është historia e Urës së Ibrit dhe e marrëveshjeve që janë nënshkruar për hapjen për qarkullim e që s’po zbatohen ende.

Në vitin 2014, ishte hartuar një plan nga BE-ja për hapjen e Urës së Ibrit për qarkullim me disa elemente. Sipas atij plani kërkohej respektim i Ligjit të Kosovës, realizimi i vlerësimit teknik të strukturës statike të Urës së Ibrit nga BE-ja dhe hartimi i një projekti për revitalizimin e Urës.

Në mars të vitit 2015 për të arritur këtë qëllim, ishte larguar i ashtuquajturi “Parku i Paqes” dhe në vend të tij ishin vendosur disa barrikada të betonit, të cilat përsëri vazhdonin ta pengonin lëvizjen e lirë.

Në gusht të vitit 2015, Kosova dhe Serbia kishin arritur marrëveshje për hapjen e urës së Ibrit, ku fillimisht parashihej mbyllje e dy anëve të Urës me barriera fikse dhe me kantier deri më 15 tetor 2015. Sipas kësaj marrëveshje parashikohej që Ura të hapej për trafik jo më vonë se fundi i qershorit 2016.

 Përveç kësaj, ishte paraparë edhe rivitalizimi i rrugës kryesore “Mbreti Petar” në një zonë këmbësore, gjithashtu deri në fund të qershorit 2016.

Po ashtu i parashikuar edhe përcaktimi i hartave të kufijve administrativ të zonave kadastrale në Suhodoll dhe Kroi i Vitakut përmes një Memorandumi të Mirëkuptimit në mes të ministrive përkatëse dhe dy Komunave të Mitrovicës.

 Megjithatë, përkundër kësaj marrëveshje, revitalizimi s’ishte kompletuar deri në qershor të vitit 2016.

Me qëllim të bërjes progres, më 5 gusht 2016, Kosova dhe Serbia ishin marrë vesh në një plan të implementimit me qëllim të zgjidhjes së problemit të revitalizimit të Urës së Ibrit.

Sipas këtij plani, Kosova dhe Serbia kishin rënë dakord që të rivitalizojnë urën dhe rrugën “Mbreti Petar” deri më 14 gusht 2016, dhe që  të hapet Ura për të gjithë trafikun më 20 janar 2017, dhe gjithashtu të angazhohen për konkluzionet e mëparshme për përcaktimin e kufijve administrativ ndërmjet Mitrovicës Jugore dhe Veriore deri më 14 tetor 2016.

Pavarësisht gjithë këtyre marrëveshjeve, ura kryesore nuk është hapur për të gjithë trafikun dhe vazhdon të jetë temë që po shkakton kokëçarje për Kosovën dhe BE-në edhe pas 8 vitesh

Marrëveshja e Gushtit 2015

Marrëveshja e vitit 2016

Plani për Urën e Ibrit

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy