Dita Ndërkombëtare e Punës ose Dita e Majit festohet çdo vit më 1 maj në një përpjekje për të promovuar të drejtat e klasës punëtore dhe për të parandaluar shfrytëzimin e tyre.
Origjina e Ditës së Punës mund të gjurmohet në fund të shekullit të 19-të, kur punëtorët anembanë globit filluan të kërkojnë kushte më të mira pune, paga të drejta dhe orë më të shkurtra pune.
Dita Ndërkombëtare e Punës festohet në më shumë se 80 vende, duke përfshirë vendet në të gjitha kontinentet e botës. Njerëzit në pjesë të ndryshme të botës mbajnë marshime në këtë ditë për të promovuar të drejtat e njerëzve të klasës punëtore dhe për t’i mbrojtur ata nga shfrytëzimi.
Historia:
Tradita e Ditës së Punës daton në Amerikën e shekullit të 19-të. Më 1 maj 1866 punëtorët në Çikago organizuan një grevë për të kërkuar një ditë pune tetë orëshe. Në atë kohë, sistemi kapitalist kishte pushtet të plotë në Amerikën e epokës industriale dhe si pasojë kushtet e klasës punëtore ishin përkeqësuar. Puna me ndërrim 16-orësh ishte diçka e zakonshme për punëtorët në atë kohë. Si përgjigje ndaj punës së mundismshme dhe orëve të stërzgjatura të punës, me 1 maj, anarkistët dhe aktivistët e punës në Çikago filluan një grevë shumë-ditore e që u bë e njohur si çështja Haymarket e 1886-ës.
Protestat vazhduan deri më 3 maj dhe ato u bënë të dhunshme kur policia, që në thelb ishte forca e armatosur e zotërinjve kapitalistë sulmoi punëtorët që demonstronin pranë uzinës të “McCormick Reaper”. Të nesërmen, me 4 maj në një tubim të mbajtur në sheshin Haymarket të qytetit protesta u bë e përgjakshme. Policia ndërhyri duke shkaktuar përleshje ku mbeten të vrarë si policë e ashtu edhe civilë. Një bombë shpërtheu aty mes radhëve të policisë në përleshje, për të cilen historianët thonë se ende është e paqartë nëse ajo kishte për qëllim policinë apo turmën e civilëve.
Lidhur me këtë shpërthim, në atë kohë ndodhi një gjyq ku u gjykuan tetë burra që pastaj u shpallën fajtorë për komplot për vrasje. Edhe pse nuk u vërtetua asnjëherë me fakte se ndonjëri prej tyre kishte ndonjë lidhje me këtë bombë, katër nga tetë burrat u varën pavarësisht se në shumë vende të botës si në Angli, Evropë, Meksikë e etj po protestohej për të shpëtuar jetën e tyre.
Më vonë, në vitin 1889, kongresi ndërkombëtar i partive socialiste u mblodh në Paris dhe vendosi të festonte Ditën e Punës ose Ditën e Punëtorëve më 1 maj.
Rëndësia:
Dita e Punës festohet në mbarë botën për të rritur ndërgjegjësimin për të drejtat e punëtorëve dhe për t’i mbrojtur ata nga shfrytëzimi. Kjo ditë shërben gjithashtu si një kujtesë për rolin e rëndësishëm që luan klasa punëtore në shoqërinë tonë.
Ndërlidhja me Kosovë:
Sot në Kosovë gjendja e punëtorëve vazhdon të jetë e rëndë. Punonjësit në përgjithësi, e sidomos ata në sektorin privat detyrohen të punojnë me paga të ulëta, me orë të stërzgjatura, pa kushte normale të punës, pa siguri në vendet e punës, pa siguri shëndetësore dhe përballen çdo ditë me dhunë psiqike nga drejtues të pandërgjgjeshëm.
Sindikatat e punëtorëve që për mision e kanë mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve nuk respektohen e as nuk përfillen as nga qeveria e as nga kompanitë private, shpesh instrumentalizohen dhe si pasojë mbesin të pafuqishme për të kryer misionin e tyre.