Federata e Futbollit e Kosovës ka njoftuar se është përmbyllur procesi i licencimit nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Licensimi është kryer në përputhje të plotë me udhëzimet që dalin nga dokumenti normativ për licencimin e federatave sportive.
Në faqen zyrtare të facebookut të FFK-së thuhet se Ministri i Sportit, Hajrulla Çeku, sot, e ka nënshkruar vendimin për licencimin e FFK-së, bazuar në rekomandimin e Komisionit për Licencimin e Federatave Sportive (KVLFS).
Edhe pse federata e futbollit është më e madhja në Kosovës si për nga numri i klubeve, sportistëve, publikut dhe aktiviteteve sportive, deri më sot nuk është licensuar nga MKRS me pretendimet se nuk i ka përmbushur kriteret e kërkuara.
Mirëpo me aktin e licencimit të sotëm konfirmohet se njëjtë sikur edhe federatat tjera sportive të cilat ishin të përfshira në këtë proces, edhe FFK i ka plotësuar të gjitha kriteret dhe kushtet e kërkuara për t’u licencuar për ciklin aktual olimpik.
Kujtojmë se para pak javëve në Kosovë kishin ardhur për vizitë delegacionet e FIFA dhe UEFA për të takuar krerët e FFK-së dhe MKRS-së për të sqaruar pengesat e licencimit.
Përmbyllja e këtij procesi tregon se FFK është duke punuar drejt standardit më të lartë të menaxhimit dhe transparencës si në federatë, ashtu edhe në klube, thuhet më tutje në komunikaten e FFK-së.

