Versioni i PDK-së për prishjen e koalicionit qeverisës me LVV-në në Gjilan

by informim

Versioni i PDK-së për prishjen e koalicionit qeverisës me LVV-në në Gjilan.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës kanë ndërprerë bashkëpunimin për qeverisje në komunën e Gjilanit.

banner

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të degës së PDK-së në Gjilan dhe ish-drejtori komunal i Financave, Riad Rashiti, ka rrëfyer arsyet e prishjes së koalicionit.

Rashiti thotë se vendimi ka qenë i përbashkët teksa shton se me partnerin qeverisës, LVV-në, kanë pasur sfida që nga fillimi i mandatit.

Ish-drejtori i Financave thekson se problemi i fundit me të cilin ata janë përballur ka të bëjë me shfuqizimin e tri vendimeve të ish-qeverisjes së Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Së fundmi që me lidhë problemin deri në fund, ka ardhë si pasojë e moskomunikimit apo moskonsultimit dhe mosdurimit si dhe kokëfortësisë së kryetarit për tri vendimet të cilat kanë ardhë në Kuvendin Komunal që kanë të bëjnë me shfuqizimin e tri vendimeve të ish qeverisjes së LDK-së”- është shprehur Rashiti

Këto tri vendime kanë të bëjnë me plotësimin dhe ndryshimin e kushteve ndërtimore në nënzonën e Bllokut “B3” në kuadër të planit rregullues urban “Kodra e Thatë”, në zonën e Bllokut “B4” në kuadër të planit rregullues urban “Kodra e Thatë” dhe në zonën e Bllokut “I” në kuadër të planit rregullues urban “Livadhet e Arapit”.

Rashiti ka thënë se PDK ka kërkuar që kjo çështje të diskutohet më hollësisht në seancë të Kuvendit Komunal.

“Ne kemi kërku që kjo çështje të diskutohet më hollësisht që pse këto vendime nuk kanë ardhë që 17 muaj në seancat e Kuvendit Komunal. Kemi kërku llogari që pse për këto 17 muaj Drejtoria e Urbanizmit ka lëshu leje ndërtimi. Kemi kërku sqarime që përse nuk kanë ardhë vendime tjera dhe kemi kërku kohë që të marrim përgjigje për këto dhe më pas parimisht të deklarohemi në seancën e fundit që ne jemi pro shfuqizimit të vendimeve të kësaj natyre, edhe sot jemi pro, por jo pa dhënë sqarime”- ka thënë Rashiti.

Ish-drejtori thekson se ishte caktuar një seancë për të enjten gati para dy javësh, por që Rashiti thekson se ka qenë jashtë vendit dhe me dakordim me LVV-në janë pajtuar që këto pika të shtyhen për të premten.

“Në momentin kur ka qenë seanca e ditës së enjte, unë kam qenë jashtë vendit për 10 ditë, jemi dakordu me Vetëvendosjen që këto tri pika të shtyhen dhe kështu ka mbetë të premten e javës së kaluar. Ndërsa të dielën kam qenë rrugës duke ardhur dhe na vjen emaili pas orë 10 të natës, për seancë të hënën, pra këta e kanë thyer një premtim, një marrëveshje që jemi pajtu me shty që me diskutu”- tregon Rashiti.

Më tej, ai pretendon se LVV-ja nuk ka qenë e gatshme të diskutojë para dhe gjatë seancës dhe si PDK janë konsultuar që të mos vazhdohet koalicioni.

“Nuk kanë qenë të gatshëm as me diskutu të hënën para seancës dhe as gjatë seancës. Ne kemi kërkuar pauzë dhe kemi kërkuar kohë të diskutojmë, gatishmëria e tyre nuk ka qenë, ata kanë qenë kokëfortë. Ne si PDK e kemi parë që qasja e tillë, jemi konsultu që me këtë qasje është e pakuptimë të vazhdohet me partnerë të koalicionit”- ka thënë Rashiti.

“Ne të hënën e kemi lëshu seancën për arsye që ata nuk ishin të gatshëm në pauzë me ardhë kryetari dhe kryesuesi që me diskutu, nuk e kanë pranu këtë. Ne e kemi realizu një takim si PDK të martën në mbrëmje, e kemi diskutu në kryesi të degës, tre kanë qenë kundër, 22 kamë qenë pro që me këtë qasje dhe që ky partneritet nuk mundet me vazhdu me këtë kokëfortësi, diskriminim e qasje ndaj nesh dhe kemi marrë qëndrim që partneriteti të marrë fund”- shtoi ai.

Rashiti pretendon se janë munduar që edhe një herë t’i japin edhe një rast kryetarit, mirëpo sipas tij “ai e ka marrë informacionin që PDK e ka marrë këtë vendim të tillë dhe të nesërmen i ka pri prishjes së koalicionit”.

Nënkryetari në detyrë i PDK-së në Gjilan thekson se postet në të cilat kanë qenë Partia Demokratike i kanë dorëzuar të nesërmen, teksa deklaron se tashmë janë parti opozitare.

“Ne postet tona i kemi liru të nesërmen, i kemi dorëzu detyrat dhe jemi parti opozitare. Unë do të jem konstruktiv në Asamblenë Komunale. Jemi njëra nga partitë opozitare, aktiviteti ynë do të jetë konstruktiv. Ato vendime që janë në dëm dhe dëmtojnë interesat ndaj zhvillimit pozitiv në komunë sigurisht që do t’i kundërshtojmë”- ka shpjeguar Rashiti.

KALLXO.com ka tentuar të marrë një qëndrim nga kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, në lidhje me pretendimet e PDK-së por edhe një qëndrim për prishjen e koalicionit, mirëpo deri në publikimin e këtij artikulli, nuk ka marrë përgjigje.

Gjithashtu KALLXO.com ka tentuar të marrë një përgjigje nga kryetarja e grupit të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Krenare Kqiku, por ajo ka thënë se do të mund të japë qëndrim pasi të deklarohet kryetari.

“Shumë shpejt po besoj ka me u prononcu fillimisht kryetari, e pastaj mundemi me u prononcu edhe na”- ka thënë shkurtimisht Kqiku.

Të mërkurën e javës së kaluar, kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, njoftoi se koalicioni qeverisës LVV dhe PDK në Gjilan ka marrë fund.

“Janë tri vendime, pas të cilave, të ngjashme presim të vijnë ende për votim, që po bëhen shkaktarë për ndërprerjen e bashkëpunimit. Vendimet e konstatuara si të kundërligjshme, si dhe që favorizojnë individë e grupe të interesit janë tema që nuk diskutohen, por anulohen, pa alternativë”- ka thënë Hyseni.

“Ne vazhdojmë të jemi të prerë në qëndrimet dhe parimet tona. Pavarësisht pengesave dhe barrierave të shumta nga shumë akterë, askush dhe asgjë nuk devijon misionin tonë”- përfundon ai.

Ndërkaq, ditë më pas, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, në një konferencë për media u shpreh se partia e tij do vazhdojë të qëndrojë në opozitë.

Ai theksoi se 14 këshilltarët e LDK-së në asnjë mënyrë nuk do të jenë pjesë e një bashkëqeverisje eventuale.

“Ne do të vazhdojmë të jemi opozitë, ndoshta më e madhe, ndoshta më e vogël, kjo do të varet nga vullneti i partive dhe përfaqësuesve të partive politike në Kuvend, por si LDK nuk do të shkaktojmë asgjë tjetër, pos rikonfigurim të natyrshëm dhe do të punojmë për një rritje të bllokut opozitar. Por, ajo që është e sigurt, 14 këshilltarë të LDK-së do të mbeten në opozitë dhe në asnjë mënyrë nuk do të jenë pjesë e një bashkëqeverisje eventuale”- tha Haziri.

“Javën tjetër grupi i këshilltarëve do të bëjë vlerësimet e analizat e krejt gjendjes në Kuvendin Komunal, gjetjeve që i kemi në ekzekutiv dhe do të dalim me vlerësime të reja”- shtoi ai.

Haziri tha se pozita e kryesuesit të Kuvendit Komunal i kishte takuar LDK-së ne vota të qytetarëve por që sipas tij, kjo u pamundësuar për shkak të koalicionit.

“Ne jemi partia më e madhe opozitare në komunë, përkundër që na ka taku pozicioni i kryesuesit me vullnet qytetar, ata na kanë zgjedhë me vota që të kryesojmë Kuvendin Komunal. Kjo u bë e pamundur për shkak të koalicionit që tashmë kanë kthy gjendjen në pikën 0 dhe natyrisht ne e kemi ruajtur koalicionin opozitar ku LDK, Vatra dhe AAK-ja janë së bashku si parti opozitare”- deklaroi nënkryetari i LDK-së.

Ai shtoi se gatishmëria e LDK-së për bashkëpunim, siç tha ai, për të ndikuar në politikat zhvillimore të Gjilanit, asnjëherë nuk ka munguar, teksa u shpreh se nuk lejojnë shkeljen e parimit të gardianit të demokracisë, e të ligjshmërisë në komunën e Gjilanit.

Në Gjilan, Lëvizja Vetëvendosje (LVV ) në janar të 2022-tës kishte arritur koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK). Më këtë koalicion PDK-së i takonin katër drejtori si dhe posti i nënkryetarit.

Leonora Morina Bunjaku nga PDK ishte emëruar nënkryetare e Komunës së Gjilanit. Në zgjedhjet e fundit lokale, Morina Bunjaku ishte kandidate për kryetare nga PDK.

banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy