Albin Kurti pretendon se është i vetmi politikan Shqiptar që dëshiron të shtrijë sovranitetin e plotë në veri të Kosovës. Me veprime të “guximshme” të njëanshme, pa kordinim me ndërkombëtarët promovohet para besimtarëve të vet kinse është i vetmi që e dëshiron këtë gjë.
Ai flet dhe akuzon vazhdimisht qeveritë e kaluara dhe liderët tjerë Shqiptarë kudo që ata ndodhen se sipas tij ata e kanë braktisur sovranitetin në veriun e Kosovës. Për më tepër Albini tenton t’i paraqesë të gjithë të tjerët si bashkëpunëtorë të Vuçiqit, ndërsa vetën si shpëtimtari dhe heroi i vendit. Si mjeshtër i mashtrimit ai dëshiron t’i nxjerrë të tjerët si të paditur dhe të dobët për të mbrojtur interesat e vendit, ndërsa veten si një person të fuqishëm dhe mendjemprehtë për të mbrojtur të drejtat dhe sovranitetin e vendit.
Problemi është se Albin Kurti nuk po tregohet i ditur ashtu siç pretendon se është, për të arritur synimet e tij. Dituria e tij politike është shumë larg nga ajo që promovohet nga besimtarët e tij. Ai nuk ka arritur së pari të krijojë marrëdhënie bashkëpunimi dhe aleanca me qytetarët serb që janë shumicë në pjesën veriore të Kosovës. Pastaj ai nuk ka ditur të marrë miratimin e bashkësisë ndërkombëtare e as të KFOR-it për planin operativ në terren.
Përkundrazi, ai i ka irrituar banorët serb, edhe ata që janë kundër Vuçiqit me veprimet e njëanshme provokuese duke nxitur tensione dhe pakënaqësi. Ai i ka irrituar ndërkombëtarët duke krijuar situata të rrezikshme për jetërat e ushtarëve. Ai e ka irrituar bashkësinë ndërkombëtare, sepse ka ndërhyrë në politikat globale të shkaktuara nga lufta mes Ukrainës dhe Rusisë.
Albin Kurti nuk po din të parashikojë as pasojat e aksioneve nëpërmjet policisë. Nuk po din të parashikojë dhe të matë pasojat e zemërimit të protestuesve serb, të qeverisë së Beogradit e as të partnerëve dhe aleatëve të bashkësisë ndërkombëtare. Si rrjedhim nuk po del të jetë i përgaditur për t’i mbështetur dhe për t’i mbrojtur si duhet policët e Kosovës e as interesat e Kosovës.
Pikërisht për shkak të paditurisë së tij, ai sot, ndodhet në situatë të bllokuar dhe nuk ka mundësi të arrijë asnjë prej synimeve të tij. Atij nuk ia lejojnë kryetarët e zgjedhur të hyjnë dhe të qëndrojnë në objektet e komunës. Ai sot nuk po mundet të bëjë asgjë për të liruar policët e rrëmbyer nga forcat e policisë së Serbisë. Ai nuk po arrin ta shtrijë atë sovranitetin e dëshiruar ngase serbet po vendosin bllokada dhe po e sulmojnë policinë. Ai nuk po mundet ta bindë bashkësinë ndërkombëtare për tezat e tij të së drejtës ndërkombëtare për vendet e pavarura dhe sovrane sepse ata nuk po kanë durim më ta dëgjojnë.
Ai sot nuk po arrin ta kuptojë dhe ta pranojë se nuk mundet i vetmuar kundër gjithë botës.
Megjithatë, kokëfortë dhe pa asnjë gadishmëri për reflektim, i mbyllur në mendësinë e vet dhe padyshim krijuesi i gjithë këtyre tensioneve, ai prapë vazhdon ta akuzojë bashkësinë ndërkombëtare se nuk po kujdeset për qetësimin e situates dhe se nuk po punojnë mjaftueshëm për policët e rrëmbyer të Kosovës që të lirohen nga gjykata serbe dhe të kthehen në familjet e tyre.
Jam i bindur se edhe pas kësaj drame, kur të kthehet ndonjë normalizim i situatës, pavarësisht arritjes apo jo të synimeve të tij, ai do të dalë prapë para besimtarëve të vetë dhe do t’u thotë: e shihni se si arrita të fitoj ndaj kriminelëve serb. Gjithë këtë katrahurë do ta shesë si fitore, dhe besimtarët do t’i duartrokasin. Rezultat i shpërlarjes së trurit!
Ai prapë do të thotë se ishte dhe mbetet i vetmi që vërtet e dëshiron sovranitetin në veriun e Kosovës. Por ai asnjëherë nuk do t’u thotë atyre se nuk din dhe se nuk mundet.
(Ky është opinon i autorit dhe nuk përfaqeson politikën editoriale)