Privatizimi tkurrë tokat bujqësore

by informim

Shndërrimi i tokave bujqësore në toka për qëllime ndërtimore apo industriale është bërë dukuri shqetësuese, pasi zvogëlon mundësitë për prodhimin e kulturave bujqësore, thonë ekspertë të bujqësisë në Kosovë.

Ndër faktorët kryesorë që ka sjellë këtë gjendje, sipas tyre, është procesi i privatizimit.

banner

Të dhënat e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Kosovës, të siguruara nga Radio Evropa e Lirë, tregojnë se, vetëm gjatë vitit të kaluar, mbi pesë hektarëve tokë bujqësore u është ndërruar destinimi në tokë për qëllime jobujqësore.

Në këtë ministri, nga viti 2019 deri më 2022, janë bërë mbi 350 kërkesa për ndryshimin e tokës bujqësore në tokë për qëllime të tjera – prej të cilave shumica dërrmuese janë miratuar.

Se për sa sipërfaqe tokë bëhet fjalë saktësisht, nuk është e qartë.

Salih Salihu, profesor në Fakultetin e Bujqësisë në Universitetin e Prishtinës, thotë se institucionet duhet ta ndalojnë ndërrimin e destinacionit të tokave bujqësore.

Sipas tij, është lehtë e vërejtshme që tokat deri vonë bujqësore – kryesisht rreth rrugëve magjistrale – janë shndërruar në zona industriale, objekte afariste e komerciale, apo banesa kolektive.

“Si shtet duhet të kemi sipërfaqe të mjaftueshme të tokës, të sigurohet ushqimi për popullatën, madje edhe të grumbullohen rezerva të prodhimeve bujqësore së paku për dy-tre vjet. Gjatë pandemisë COVID-19 e kemi parë që një kilogram miell ka arritur në 0.50 euro – çmim jashtëzakonisht i lartë. Për këtë, sipërfaqja e tokës bujqësore duhet të ruhet dhe të punohet”, thotë Salihu.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), vendi ka një sipërfaqe të përgjithshme prej 10.905,25 kilometrash katrorë.

Sipërfaqja e tokës së përgjithshme bujqësore, sipas ASK-së, llogaritet të jetë 512 mijë hektarë.

Ndërkaq, hapësira e shfrytëzuar në vitin 2021 ka qenë 420 mijë hektarë.

Kosova, prej vitesh, përballet me deficit të lartë tregtar, që do të thotë se importon më shumë sesa eksporton.

Në mesin e produkteve të importuara bëjnë pjesë edhe kulturat bujqësore, si qepët, që, sipas ekspertëve të bujqësisë, janë lehtë të kultivohen.

Si ka ndikuar procesi i privatizimit?

Tahir Tahiri, udhëheqës i Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës, thotë se në tjetërsimin e tokës bujqësore ka ndikuar procesi i privatizimit të tokave bujqësore.

Sipas tij, çmimi i ulët për privatizim ka bërë që afaristë të ndryshëm të blejnë tokë bujqësore dhe ta shfrytëzojnë atë për qëllime të tjera – biznesi apo banimi.

“Tokat e privatizuara janë shitur me çmim shumë të lirë dhe i kanë blerë qytetarë që nuk merren me prodhimtari bujqësore. I kanë blerë, i kanë ndarë në parcela dhe i kanë shitur në sipërfaqe të vogla – sidomos tokat afër autostradave që gjenden afër qendrave komunale. Kështu që tokat bujqësore janë tjetërsuar në toka ndërtimore”, thotë Tahiri për Radion Evropa e Lirë.

Në Raportin e Gjelbër për vitin 2022, të publikuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural e Kosovës, thuhet se gjatë procesit të privatizimit nga viti 2005 deri më 2021, një ar tokë bujqësore është shitur nga 4.5 euro deri në mbi 2.000 euro.

Për këto 16 vjet janë privatizuar mbi 30 mijë hektarë sipërfaqe të tokës bujqësore, me një vlerë financiare mbi 160 milionë euro.

Peja është qyteti ku është privatizuar hapësira më e madhe e tokës.

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), në bazë të mandatit ligjor, bën privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore dhe të tokave përmes tenderit publik. Ajo nuk i monitoron tokat e privatizuara.

“Pronari i ri i një aseti të ish-ndërmarrjes shoqërore, sikurse çdo pronar tjetër i pronës private, duhet t’iu nënshtrohet kërkesave ligjore dhe procedurave për marrje të lejes së ndërtimit pranë organeve komunale”, thuhet në një deklaratë të AKP-së dhënë Radios Evropa e Lirë.

Sipas saj, menaxhimi i tokave, pastaj, është i specifikuar në kuadër të legjislacionit mbi tokat bujqësore, kurse çështjet e planifikimit hapësinor komunal u takojnë organeve komunale.

Çfarë thonë në Ministrinë e Bujqësisë?

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural e Kosovës ka të formuar Komisionin për ndërrim të destinimit të tokës bujqësore-pyjore në tokë për qëllime jobujqësore-pyjore.

Të gjitha lëndët për ndërrim destinimi, duke përfshirë edhe tokat bujqësore të privatizuara, fillimisht trajtohen në Drejtoritë Komunale të Urbanizmit, e më pas kalojnë te Ministria.

“Komisioni i trajton këto lëndë duke i përfshirë edhe tokat bujqësore të privatizuara, të cilat duhet të jenë 100 për qind në përputhje me planet zhvillimore komunale. Çdo kërkesë [për ndryshim destinimi] që është jashtë Planit Zhvillimor Komunal me automatizëm refuzohet”, thonë nga Ministria e Bujqësisë për Radion Evropa e Lirë.

Tahiri: Fondi Sovran duhet ta mbrojë tokën bujqësore

Tahir Tahiri, nga Federata Sindikale e Bujqve të Kosovës, kërkon nga Qeveria e Kosovës që, përmes Fondit Sovran, t’i ndryshojë procedurat për privatizimin e tokës bujqësore, me qëllim frenimin e ndërrimit të destinimit të tokave.

“Politikat operacionale të AKP-së duhet të ndryshohen, sepse kanë qenë politika të disfavorshme, në dëm të sektorit bujqësor”, thotë ai.

Me krijimin e Fondit Sovran, Qeveria e Kosovës ka paraparë shuarjen e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, me ç’rast kompetencat e saj do t’i barten Fondit.

Në një adresim më 19 maj, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se 44 mijë hektarë tokë bujqësore do të mbrohen përmes Fondit Sovran, por nuk ka treguar se në çfarë formash do të mbrohen.

Në bazë të Ligjit për tokën bujqësore, pronari apo shfrytëzuesi i tokës bujqësore është i detyruar që ta shfrytëzojë atë në mënyrën që u përshtatet vetive natyrore të tokës.

E, në rast se pronari e ndërron destinimin e tokës dhe e shfrytëzon për qëllime jobujqësore, pa pasur leje për një gjë të tillë, ai dënohet me gjobë nga 500 deri në 10.000 euro

banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy