Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se paga e 13-të për punëtorët e sektorit publik do të ekzekutohet në fund të këtij muaji, në kuadër të zbatimit të buxhetit të ri të miratuar në Kuvend.
Duke folur në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizja Vetëvendosje, Kurti theksoi se përmbushja e zotimeve të mandatit të ri ka nisur me hyrjen në fuqi të buxhetit, i cili u miratua në lexim të dytë më 20 shkurt dhe kap vlerën rreth 4 miliardë euro.
Sipas tij, ky buxhet përfaqëson hapin e parë konkret drejt realizimit të prioriteteve qeveritare për mandatin e ri, duke përfshirë edhe mbështetjen financiare për administratën publike.
“Buxheti në vlerë rreth 4 miliardë euro përfshin edhe pagën e 13-të për punëtorët e sektorit publik, që do të shpërndahet në fund të këtij muaji”, deklaroi Kurti.
Ekzekutimi i kësaj pagese shtesë konsiderohet si një nga masat kryesore të paralajmëruara nga ekzekutivi në kuadër të politikave për mbështetjen e punonjësve të sektorit publik.

