Për çfarë u mor vesh Bislimi me Lajçakun? Amerikanët nuk shohin se jemi afër shtensionimit të situatës

by informim

Njoftimi për një dakordim ndërmjet Kosovës dhe BE-së për shtensionimin e situatës në veri nuk e ka entuziazmuar shumë SHBA-në. Amerikanët nuk shohin ende se jemi afër kthimit në normalitet.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe emisari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak u morën vesh të hënën në Bratisllavë për hapat e parë drejt shtensionimit të situatës në veri.

banner

Si Bislimi, ashtu edhe Lajçak njoftuan në Twitter për dakordimin dhe diskutimet që i kishin bërë në një takim të paparalajmëruar në kryeqytetin e Sllovakisë.

“Jemi pajtuar për hapat e nevojshëm për të siguruar shtensionim efektiv të situatës dhe të bazuar në ligj dhe për përqendrim në normalizimin dhe zbatimin e sundimit të ligjit”, shkroi Bislimi në Twitter.

Lajçak tha se me Bislimin zhvilluan “bisedime intensive”, duke konfirmuar gjithashtu dakordimin.

“Kemi biseduar për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës, në përputhje me deklaratën e shteteve anëtare të BE-së më 3 qershor, dhe për mënyrën përpara për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në dialog. Jemi pajtuar për hapat e parë drejt arritjes së këtij qëllimi”, shkroi Lajçak.

Për çfarë marrëveshje bëhet fjalë?

BE-ja ka përgatitur një plan për zbatimin e tre pikave për shtensionimin e situatës, që liston përgjegjësitë e të dyja palëve dhe sekuencon veprimet për zbatimin e këtij plani.

Siç merr vesh Express-i, nëse gjithçka shkon siç duhet, Kosovës i hiqen masat ndëshkuese nga BE-ja.

Nga Brukseli nuk i janë përgjigjur interesimit të gazetës se kur pritet të fillojë zbatimi i hapave të parë për shtensionimin e situatës dhe nëse pritet të ketë takime të tjera me qëllim të dakordimit të plotë për të gjithë hapat.

I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, gjatë qëndrimit në Kroaci javën e kaluar, tha në një intervistë në televizionin publik kroat se hapat e BE-së për shtensionim janë të thjeshtë, duke treguar se çka duhet bërë fillimisht.

“Hapi i parë është largimi i njerëzve nga rruga. Kryetari i mbetur i komunës nuk duhet të dalë në zyrë për të krijuar shpërqendrim”, tha Escobar.

“Na duhen zgjedhje të reja me pjesëmarrje të pakushtëzuar të serbëve. Ne kemi nevojë edhe për një afat kohor që pala serbe ta zbatojë pjesën e saj dhe një draft statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë. Bëhet fjalë për barazi, barazi dhe përfitime për të dyja palët” theksoi ai.

Nëse palët nuk e pranojnë planin e BE-së, Lajçak paralajmëroi se “mund të ketë një krizë edhe më të madhe”.

Hovenier: Vështirë të them se jemi afër shtensionimit

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha sot se e ka të vështirë të thotë se është afër arritja e një zgjidhjeje për situatën në veri, edhe pas lajmit nga Bratisllava.

Hovenier tha se “SHBA-ja mbetet e përkushtuar siç ka qenë gjithmonë që ta shohë Kosovën duke i arritur qëllimet e veta”.

Mënyra se si Qeveria e Kosovës po e menaxhon situatën në veri, sipas ambasadorit është “shumë e ndjeshme”.

“Ajo që dua të them është se ne jemi prapa një Kosove sovrane, të pavarur, multietnike demokratike që zë vend në strukturat evropiane e euroatlantike. Po bëjmë punë të madhe për këtë. Kjo po ashtu nënkupton që Kosova ta ushtrojë sovranitetin e saj. Veriu është i komplikuar dhe i vështirë dhe mënyra se si Qeveria e Kosovës menaxhon situatën është shumë e ndjeshme dhe duam të jetë shumë e koordinuar me aleatët ndërkombëtarë që të shmangen momentet e krizës që pengojnë rrugën tonë të gjatë për të arritur këtë qëllim të përbashkët”, tha Hovenier.

Pa dashur të përmend ndonjë afat për shtensionimin, Hovenier ka thënë se e sheh këtë si çështje urgjente.

Zgjedhje të reja në veri duke u tërhequr nga të gjitha veprimet e fundit është kërkesa e bashkësisë ndërkombëtare për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të cilin e konsiderojnë përgjegjës për tensionimin e situatës. Ai ende nuk ka pranuar ta zbatojë planin perëndimor për shtensionimin dhe për rrjedhojë, BE-ja ka filluar t’i zbatojë disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës.

banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

Ne jemi informim.net, një portal lajmesh që kemi një qëllim të qartë dhe premtim për të qenë portal lajmesh më i shpejtë në Kosovë dhe në rajon.
Ne kemi një staf të përkushtuar gazetarësh dhe redaktorësh që punojnë vazhdimisht për të sjellë lajme aktuale dhe të besueshme për lexuesit tanë. Ne ofrojmë lajme nga Kosova dhe më gjerë, duke i kushtuar rëndësi çështjeve që ndikojnë në jetën e përditshme të njerëzve. Gjithashtu, ne kemi një fokus të veçantë në kulturë, art, dhe inovacione teknologjike.

Edtior's Picks

Latest Articles

All Right Reserved 2023

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy