Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka njoftuar se në takimin e djeshëm me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, janë dakorduar për katër pika, ku përfshihet edhe deklarata publike e Qeverisë së Kosovës që mbështet mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në 4 komunat në veri të vendit dhe atë pas stinës së verës.
Bislimi thotë se Serbia nuk mund të fshihet më prapa tentativave për tensione e kriza.
“Serbia duhet të ndalojë veprimet e saj nxitëse të dhunës, që çoi në sulmet ndaj ushtarëve të KFOR-it, policisë dhe gazetarëve, në konfiskimin e një arsenali të madh municionesh në afërsi të komunës së Zveçanit, e kidnapimin e tre zyrtarëve tanë policorë thellë brenda territorit të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Bislimi.
“Ka ardhur momenti që Serbia t’i përmbahet zotimeve të saj përpara BE-së dhe të zbatojë marrëveshjet e dakorduara. Nuk mund të fshihen më prapa tentativave për tensione e kriza, për eskalim të situatës. Ka ardhur momenti që marrëveshja të zbatohet, në mënyrë të drejtë, të pakushtëzuar e të balancuar”, ka theksuar tutje ai.
Bislimi shton se vullneti dhe konstruktiviteti i palës kosovare në këtë proces, asnjëherë nuk ka munguar.
“Këtë po e dëshmojmë në vazhdimësi. Asnjëherë nuk kemi vepruar apo kontribuar në eskalimin e situatës në veri, por vetëm në mbrojtje të kushtetueshmërisë dhe ligjshmërisë në vend. Në këtë frymë i marrim të gjitha vendimet e hapat tonë”, ka deklaruar pos tjerash Bislimi.