Si rezultat i mungesës së të akuzuarës Vlora Jasharaj ka dështuar të nis gjykimi për manipulim me rezultatet e votimit në zgjedhjet e 2017-ës.
Në këtë rast për falsifikim të rezultateve të votimit po akuzohen Luljeta Kelmendi, Altin Bekteshi, Faime Sijarina, Arton Makolli, Vlora Jasharaj, Fatbardha Berisha, Avdullah Azemi dhe Samsun Bolukbashi të cilët sipas prokurorisë kanë manipuluar me 69 vota të kandidatëve brenda përbrenda Lëvizjes Vetëvendosje, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në seancën e sotme i pranishëm ishte prokurori i shtetit Ilaz Beqiri si dhe të akuzuarit tjerë me mbrojtësit e tyre.
Ndërkaq e akuzuara Vlora Jasharaj nuk ishte e pranishme dhe e njëjta nuk e ka arsyetuar mungesën për seancën e sotme. Gjykata do të lëshojë urdhëresë për verifikim të adresës së saj.
Pasi që nuk u plotësuar kushtet për mbajtjen e këtij shqyrtimi fillestar, gjykatësi i rastit Gzim Ademi deklaroi se seanca e sotme shtyhet ndërkaq e radhës u caktua me 4 shtator të këtij viti.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 29 tetor 2021, ka ngritur aktakuzë kundër Luljeta Kelmendi, Altin Bekteshi, Faime Sijarina, Arton Makolli, Vlora Jasharaj, Fatbardha Berisha, Avdullah Azemi dhe Samsun Bolukbashi të cilët po ngarkohen se më 11 qershor 2017, në Shkollën Fillore “Dardania” në Prishtinë, në bazë të marrëveshjes paraprake, gjatë numërimit të votave kanë falsifikuar rezultatet e votimit për deputet të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Aktakuza thotë se, e pandehura Kelmendi në cilësinë e kryesueses së Këshillit të vendvotimit dhe të pandehurit tjerë, Sijarina, Jashari, Bekteshi, Makolli, Bolukbashi, Azemi dhe Berisha anëtarë të këtij Këshilli, kanë falsifikuar rezultatet e votimit duke manipuluar me 69 vota të kandidatëve brenda përbrenda subjektit të njëjtë politik, ashtu që kandidatëve të preferuar nga LVV u kanë shtuar 50 vota dhe kandidatëve tjerë nga LVV u kanë hequr 19 vota dhe këto rezultate i kanë bartur në Formularin e përputhjes se të dhënave dhe rezultateve, me ç ‘rast kanë dëmtuar KQZ-në.
Me këto veprime, të pandehurit po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit” nga neni 219 paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me burgim prej tre deri në pesë vjet.