Gjashtë ligje të Qeverisë Kurti kanë përfunduar në Kushtetuese për vlerësim të kushtetutshmërisë deri tash. Një prej këtyre ligjeve ka qenë edhe ai për Këshillin Prokurorial të Kosovës, që u shpall i pavlefshëm nga Kushtetuesja në mars. Për Projektligjin e ri për KPK, Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka kërkuar mendim nga Komisioni i Venecias. Këtë ia kishte kërkuar Shefi i Zyrës së BE’së në Kosovë. Njohës të drejtësisë vlerësojnë se ligjet po përfundojnë në Kushtetuese shkaku i mungesës së ekspertizës në hartim.
Kryeparlamentari Glauk Konjufca i është drejtuar para dy ditësh Komisionit të Venecias lidhur me Projektligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, që është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese.
Konjufca ka kërkuar opinion për projektligjin në tërësi, pasi drafti ka pësuar ndryshime që nga vlerësimi i Komisionit të Venecias.
“Duke qenë se drafti ka pësuar ndryshime që nga vlerësimi i Komisionit të Venecias, kryetari Konjufca ka kërkuar opinion për projektligjin në tërësi, duke e konsideruar si vendimtare në arritjen e objektivit për reformim të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe adresimit të shqetësimeve dhe çështjeve të ngritura më parë.”, thuhet në njoftimin e Kuvendit të Kosovës.
Këtë ia kishte sugjeruar edhe Shefi i Zyrës së BE’së në Kosovë, Tomas Szunyog.
“Marrë parasysh rëndësinë e kësaj iniciative dhe faktit që draft-ligji përfshin dispozita të reja që më parë nuk janë vlerësuar nga Komisioni i Venedikut, unë iu inkurajoj fuqishëm që të (ri) konsultoni Komisionin e Venedikut dhe të siguroheni që rekomandimet e tij janë inkorporuar siç duhet në draft-ligjin e finalizuar.”, thuhej në letrën e Szunyog.
Ai kishte shprehur gatishmërinë që edhe zyra e BE-së të ndihmojë me komente dhe asistentë teknike Kuvendin e Kosovës.
Ligji për Këshillin Prokurorial, për të cilin Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu thoshte se i hap rrugë reformës në drejtësi, ishte miratuar në Kuvend vitin e kaluar.
Për këtë ligj, dy partitë më të mëdha opozitare në vend, PDK’ja dhe LDK’ja, i ishin drejtuar Gjykatës Kushtetuese.
Më 24 mars të këtij viti, Kushtetuesja e kishte shpallur të pavlefshëm ligjin, meqë disa nene të këtij ligji janë vlerësuar se janë në mospërputhje me Kushtetutën e Kosovës.
Ligji për KPK’në s’është i pari që i ka përfunduar Qeverisë Kurti në Gjykatën Kushtetuese. Nga viti 2021 e deri tash, në Kushtetuese kanë përfunduar gjashtë ligje.
I fundit është Ligji për Pagën Minimale. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka dërguar këtë ligj në Kushtetuese më 21 korrik, meqë veteranët s’janë përfshirë në të.
“I kemi adresuar tri çështje kryesore, e para Këshilli Ekonomik Social nuk është konsultuar asnjëherë për pagën minimale, tregon për një shkelje flagrante të Qeverisë së Kosovës. E dyta është diskriminimi i palëve të cenueshme, të verbërve, paraplegjikëve dhe tetraplegjikëve, e të cilët nuk janë përfshirë dhe janë larguar. Ky është një diskriminim dhe shkelje e drejtpërdrejtë e të drejtave të njeriut. Dhe e treta lidhet me veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Rast ky që është eklatant e jo vetëm që është shkelje por lidhet drejtpërdrejt që kjo kategori i përfaqëson”, ka deklaruar Shefi i Grupit Parlamentar të AAK’së, Besnik Tahiri.
Ligjet e tjera që janë duke u shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese janë edhe: Ligji për Pagat në Sektorin Publik, Ligji për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg, Ligji për Zyrtarët Publikë, Ligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Duke folur për ligjet që po përfundojnë në këtë gjykatë, Ehat Miftaraj nga IKD ka kritikuar Qeverinë Kurti, duke thënë se ka mungesë të ekspertizës në hartimin e politikave dhe vullnetit politik për të konsultuar e marrë për bazë komentet nga shoqëria civile, grupet e interesit dhe partnerët ndërkombëtarë.
Sipas Miftarajt, dërgimi i ligjeve në Kushtetuese duhet të shihet si një mundësi e mirë për të siguruar që ligjet të jenë në pajtim me Kushtetutën dhe parimet që promovojnë të drejtat e liritë e njeriut.
Javë më parë, Kryeministri Albin Kurti ishte shprehur i brengosur që ligjet po përfundojnë në Gjykatën Kushtetuese.
“Mua më ka shqetësuar shumë sepse kam hall që reformat tona shumanshme e kanë gjetur një lloj sigurese që të zvarriten, të vonohen, dhe në këtë mënyrë unë nuk jam i bindur që bëhet nga motivi i ruajtjes së kushtetutshmërisë, sa i nga një opozitarizmi politik”, ka deklaruar Kurti.
Kurti kishte thënë se është i shqetësuar për vendimet që do të vijnë, bazuar nga ai për Ligjin për KPK’në.
“Mua më vjen shumë keq që Ligji për masat e përkohshme, për kufizimin e çmimeve të produkteve bazë, është në Gjykatën Kushtetuese. LDK-ja e ka dërguar në Gjykatë këtë ligj. Dhe nëse ka diçka që aktualisht si kryeministër jam më i brengosuri në qeverisjen që e kemi, janë këto edhe tash tri ligjet e mbetura në Gjykatën Kushtetuese që po zvarriten dhe për të cilët jam shumë i shqetësuar për vendimet që do të vijnë duke pasur parasysh këtë për KPK-në”, kishte thënë Kurti.
“Si ta di unë që do të rrëzohet nga Gjykata Kushtetuese një ligj që e ka kaluar dy herë Komisionin e Venecias, i cili është dakorduar me SHBA-në, BE-në, Britaninë, me gjithë akterët e shoqërisë civile, dhe nuk mjafton Komisioni i Venecias, por vjen e rrëzohet këtu në Gjykatën tonë Kushtetuese”, kishte deklaruar Kurti.