Përpos faljes së 100 eurove për vitin 2023, me Ligjin për Tatimin në Pronë synohet edhe reduktimi i çmimit të banesave.
Ligji, i cili sot u dërgua në Gjykatën Kushtetuese dhe i cili ka përplasur qeverinë me komunat, parasheh uljen e çmimit të banesave nga viti 2025.
I miratuar në Kuvendin e Kosovës më 10 korrik të këtij viti, Ligji parasheh aplikimin e taksës progresive në tatimin në pronë.
Në prezantimin e projekt-ligjit, para votimit të tij në Kuvendin e Kosovës, ministri i Financave Hekuran Murati kishte thënë se ulja e çmimit të banesave synohet të bëhet përmes aplikimit të një takse progresive.
Sipas Projektligjit për Tatimin në pronë, taksa progresive pritet të aplikohet nga viti 2025.
Me përshkallëzimin e tatimit, të gjithë ata që kanë prona të vlerësuara mbi 275 mijë euro, do të paguajnë më shumë tatim. Ndërkaq, qytetarët që kanë banim primar nën vlerën 275 mijë euro, ministri Murati ka thënë se do të lirohen nga tatimi.
“Me këtë projektligj, çfarë kemi propozuar është që për vitin aktual të zvogëlohet barra e tatimpaguesve për secilin deri në 100 euro. Kjo pra prek 95 për qind të qytetarëve”, ka thënë ai.
“Çështja e dytë ka të bëjë me periudhën kalimtare për vitin e ardhshëm ku pragu prej 0.15 për qind ulet në 0.10 për qind për të gjithë. Dhe, për vitin 2025 e tutje, është propozu që të ketë tatim progresiv, pra të përshkallëzuar, e ku me lirimet e përshkuara për pronën primare duhet të arrihet vlera prej 275 mijë euro e pronës, në mënyrë që të fillojë të paguhet më shumë. Pra kushdo që është nën 275 mijë të vlerës së pronës, i bie të paguajë më pak”, ka deklaruar ministri Murati.
Murati ka thënë se Qeveria e Kosovës synon që ndërtimtarët të cilët i mbajnë banesat pa i shitur, t’i lirojnë ato në treg.
“Ky është pra synimi. Deri më tani çka ka ndodhë është që, sikur dikush që e ka pasur një banim primar, sikur dikush që i ka pasur 20 banesa si ndërtimtar e i ka mbajtur pa shitur – në mënyrë që të ndikojë në mungesë të ofertës dhe kësisoj ta mbajë çmimin e lartë – kanë paguar njësoj tatim. Këtë po tentojmë ta ndryshojmë. Në momentin që atij që i mban 20 banesa pa shitë, sepse do ta bllokojë tregun, i bëhet më shtrenjtë patjetër atëherë do t’i lëshoj ato në treg dhe kësisoj ndikon edhe në reduktimin e çmimit. Është pozitive për ata që kanë nevojë të blejnë banesa. Pra, do të mundësohet të ketë banim më tëpërballueshëm edhe për ta, sepse do të ketë ofertë më të madhe në treg sepse do të bëhet më shtrenjtë për t’i blloku stokun e banesave të pashitura”, ka theksuar Murati.
Ai ka thënë se “e di që për disa ndërtimtarë do të bëhet më vështirë, mirëpo ne e kemi premtuar si qeveri që sa i përket politikave tatimore do të ketë progresivitet”.
Murati, po ashtu kishte insistuar që është e rëndësishme që projektligji të votohej para muajit shtator kur obligohet kryerja e pagesave nga tatimpaguesit.
Deri më sot, vetëm një komunë, ajo e Graçanicës, ka vendosur për faljen e 100 eurove nga tatimi në pronë për qytetarët e saj. /Paparaci