Ana Brnabiq: Bashkimi Europian është shumë i shqetësuar me Albin Kurtin

by engel

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç ka pretenduar këtë të shtune se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të vetmen gjë që e dëshiron “është të provokojë një konflikt”, por shton se “kurrë” nuk ka parë disa nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian “kaq të shqetësuar se çfarë do të ndodhë më pas”.

“Mendoj se janë plotësisht të vetëdijshëm se Kurti jo vetëm që do të vazhdojë me provokimet, por do ta ngrejë atë në një nivel të ri, sepse ngadalë po i mbaron koha.

banner

Ai nuk ka bërë asgjë, marrëveshjen e Brukselit për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe as nuk do ta përmendë dhe as nuk do ta kthejë atë”, tha Brnabiç, transmeton media serbe në Kosovë “KosovoOnline”.

Kryeministrja serbe, sa i përket themelimit të Asociacionit, përmendi edhe letrën që të premten kongresmenja amerikane, Claudia Tenney, i dërgoi Kurtit, ku ndër të tjera i kërkoi edhe krijimin e këtij mekanizmi.

“Kjo është arsyeja pse ai e sheh rrugëdaljen në provokimin e një konflikti, dhe kjo është e qartë për të gjithë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në BE”, theksoi, dhe shtoi se “është një shqetësim i madh”.

Ngjashëm si presidenti serb Aleksandër Vuçiç, edhe ajo vazhdoi ankesat, duke ripërsëritur frazën se “pozicioni ynë nuk do të jetë i lehtë dhe shtatori do të jetë mjaft i vështirë”.

Ndërsa, tregoi edhe përshtypjet e saja personale nga “Forumi Strategjik”, që u mbajt në Bled të Sllovenisë, ku pjesë e panelit ishte me kryeministrin Kurti.

Uljen e saj në një panel me Kurtin e përshkroi si ndjenjë të “tmerrshme”, pasi që pretendon se duhej të ulej “me dikë që keqtrajton popullin serb, nuk respekton asnjë marrëveshje dhe përpiqet ta çmendë gjithë botën”.

Edhe Vuçiç, të premten ka pretenduar se Kurti, “ka ndërmend të arrestojë të gjithë serbët që ai mendon se janë fizikisht dhe intelektualisht të aftë për të mbrojtur Veriun e Kosovës”.

Vuçiç, këto komente i bëri në një prononcim para gazetarëve gjatë një vizite në Paliç, ku edhe vazhdoi ankesat e tij, duke deklaruar se Beogradi “po përballet me një periudhë të vështirë”, duke shtuar se edhe “për Kurtin nuk do të jetë aq e lehtë sa e ka imagjinuar”, ngjashëm me atë se çfarë e tha Brnabiç një ditë më pas.

Këto deklarime të Vuçiç-it dhe Brnabiç-it vijnë në kohën kur dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë, pas përfundimit të verës, pritet të intensifikohet.

banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy