Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka përfunduar ditë më parë hartimin e Udhëzimit Administrativ për largimin e kryetarëve të 4 komunave veriore përmes peticioneve.
Por, opozita këtë udhëzim nuk po e shohin si zgjidhjen e duhur për zhbllokimin e situatës në katër komunat veriore të vendit.

Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti thotë se nëse e ka seriozisht kryeministri, dhe nëse nuk dëshiron të bëjë lojëra prolonguese, atëhere duhet që katër kryetarët e komunave ne veri, t’i deponojnë dorëheqjet e tyre me qëllim që ato të miratohen në momentin kur arrihet marrëveshja për zgjedhjet në veri.
“Marrëveshja duhet të bëhet mendërmjetësimin e BE-së dhe do duhej që përfaqësuesit e qytetarëve në veri do të duhej të arrinin një marrëveshje. Paraprakisht mendoj se do të duhej që të ndërtohet një institucion këshillimor nga qeveria ose nga institucionet si EULEX-i, ose ambasada e ShBA-ve me qëllim që të zhvillohet një debat i brendshëm në veri dhe këto dorëheqje të hyjnë në fuqi në momentin e arritjes së marrëveshjes për të bërë zgjedhje. Çështja e atij peticioni është krejtësisht i pamundshëm për t’u realizuar për faktin se ne nuk kemi ligj që e mundëson pastaj referendumin”, ka thënë Haliti për IndeksOnline.
Më tutje, ai thotë se 20% e firmave nuk mund të arrihet sepse, serbët e veriut, pa këtë marrëveshje të mundshme nuk do ta nënshkruajnë dhe si do të arrihen 20% e nënshkrimeve.

