Akuzat e kryeministrit Albin Kurti ndaj emisarit të BE-së, Miroslav Lajcak, sipas njohësve të çështjeve politike në vend tregojnë se dialogu Kosovë – Serbi është në krizë të thellë.
Me një gjuhë të ashpër e të drejtpërdrejtë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti si asnjëherë më parë e akuzoi emisarin e BE-së, për dialogun Miroslav Lajçak se po ia mban anën Serbisë. Kurti nuk u kursye aspak ndaj Lajçakut duke i quajtur veprimet e tij të koordinuara me ato të presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq.
Madje Kurti tha edhe se Lajçak e Vuçiq ishin bërë bashkë ta pamundësojnë zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, me qëllim që sipas tij “t’i japin jetë një skenari alternativ, që gjysma e marrëveshjes të zbatohet, kurse pjesa tjetër të mos zbatohet”.
Sipas Belgzim Kamberit nga Instituti “Musine Kokalari”, Kurti duhet t’i bind shtetet aleate të Kosovës, se pretendimet e tij ndaj Miroslav Lajçakut janë të vërteta, sepse ndryshe thotë ai këto akuza të Kurtit mund të përceptohen si “goditje” ndaj dialogut për normalizim të marrdhënieve.
“Pretendimi i Kryeministrit Kurti me gjuhë jodiplomatike ndaj emisarit të Bashkimit Evropian edhe mund të ketë efekt pozitiv në mesin e përkrahësve dhe simpatizuesve të Kryeministrit në Kosovë, por që të mos ketë efekt negativ për Kosovën, ajo do të duhet të argumentohet bindshëm nga Kryeministri në kryeqendrat e vendeve të Bashkimit Evropian dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse përndryshe dhe pos tjerash, ky pretendim mund të përceptohet si goditje të Kosovës zyrtare ndaj synimit për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë dhe sidomos ndaj vetaleksandar c dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha ai në një përgjigje për Portalin Dukagjini.
Kamberi thekson se nëse pretendimet e kryeministrit Kurti dalin të jenë të vërteta, atëherë dialogu do kishte pak kuptim. Sipas tij, nësë vërtetohen këto pretendime, dialog mund të ketë vetëm pa Lajçakun apo pa Kurtin.
“Pretendimet e Kryeministrit Kurti e delegjitimojnë emisarin e Bashkimit Evropian, z.Miroslav Lajcak, si lehtësues të dialogut Kosovë-Serbi, nga perspektiva e palës kosovare. Në këtë kuptim, një dialog i mëtejmë ku palën kosovare e përfaqëson Kryeministri Kurti dhe lehtësuesin e BE z.Miroslav Lajçak, është tashmë jolegjitim për Kryeministrin Kurti. Nëse i referohemi pretendimeve të Kryeministrit Kurti për z.Lajçak, atëherë tash e tutje mund të kemi dialog Kosovë-Serbi vetëm pa z.Lajçak, apo pa z.Kurti”, u shpreh Kamberi.
Gjitha këto zhvillime sipas Kamberit tregojnë se duhet të ketë një strategji më të mirë të BE-së dhe ShBA-së për dialogun Kosovë – Serbi, e cila sipas tij duhet të ridefinohet.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përfshira ne dialogun Kosovë-Serbi, si mbështetëse dhe bashkërenduese me Bashkimin Evropian, kryesisht nëpërmjet emisarit z.Gabriel Escobar. Ky dimension transatlantik ekziston. Duket më shumë se po çalon strategjia e përbashkët BE-SHBA për dialogun Kosovë-Serbi në veçanti dhe Ballkanin Perëndimor në përgjithësi, e se kjo strategji mbase duhet të ridefinohet për ta marrë dinamikën e duhur”, tha ai.
Kurse sipas njohësit të çështjeve politike, Azem Vllasi, konfrontimi me ndërmjetësit të BE-së, nuk është në favor të Kosovës, edhe nëqoftëse pretendimet e Kurtit janë të vërteta. Në një përgjigje për Dukagjinin, Vllasi e kritikon Lajçakun se nën ndërmjetësimin e tij dialogu Kosovë-Serbi, ka stagnuar.
Sipas tij veprimi më i duhur nga Kurti do ishte nëse do bashkëpunonte me ShBA-të.
“Sado që duket se Kurti parimisht ka të drejt, konfrontimi me ndërmjetësuesit e BE në dialog me Vuçiqin nuk është në favor të Kosovës. Kjart po shihet se gjatë mandatit të Lajçakut dialogu ka stagnuar. Vuçiqi nuk është i interesuar për finale të dialogut me njohje reciproke. Prandaj është kap te çështja e komunave me shumicë serbe. Formimin e kësaj Bashkësie Kurti duhet ta merr si punë të brendshme të Qeverisë tonë bashkë me Serbët e Kosovës nga këto komuna e si projekt përbrenda sistemit kushtetus-juridik të Kosovës. Ndërmjetësuesit e BE bashkë me përfaqësues të SHBA mund ta vëzhgojnë realizimin e kësaj pune, madje të japin edhe ndonjë sugjerim. Por derisa Vuçiqi përzihet në këtë punë, madje me ide që ky Asociacion të jetë si një entitet i veçantë i lidhur dhe i mvarur nga Serbia dhe nëse ndërmjetsuesit në dialog ia mbajnë krahun Vuçiqit, dialogu është në krizë të thellë. Në këtë situatë Kurti duhet ngusht të bashkëpunoj me Amerikanët”, tha ai.
Njohësi tjetër i dialogut Albinot Maloku thonë se mund të ketë ashpërsim të raporteve mes Kurtit e BE-së dhe se shpërthimi i Kurtit ndaj Lajçakut nuk ka qenë i befasishëm.
“Në diplomaci serioze dhe në përqasjen serioze ndaj problemeve që kanë karakteret politik, konsideroj që nuk do të duhej të kishin impakt të drejtpërdrejtë dhe të dukshëm a do të kenë varg dhe pasoja në raportet mes palëve, të cilat përmenden mes vete me siguri që mund të ketë dhe kjo nuk është befasi përqasja e Kurtit ose qëndrimi i tij ndaj lehtësueseve ka qenë i dijshëm veçse tani ndodhë si shpërthim i një rrethane të krijuar jo të favorshme”, ka thënë ai për Dukagjinin.
Takimi i fundit në Bruksel në kuadër të dialogut të enjten e kaluar kishte përfunduar pa sukses. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk e ka pranuar propozimin e BE-së, me arsyetimin se i njëjti i paraqet vetëm kërkesat e Serbisë dhe jo edhe të Kosovës.
Kurti në atë takim bëri të ditur se ka paraqitur një plan të detajuar të sekuencimit, i cili sipas tij kishte qëllim që Marrëveshja e Ohrit të zbatohej në plotni dhe jo të zbatohej fillimisht vetëm ajo për Asociacionin.