Disa vatra zjarri janë paraqitur këtë të shtunë në rajonin e Prizrenit, të cilat kanë bërë që të vështirësohet qarkullimi i automjeteve në rrugën Prizren-Reçan.
Policia e Kosovës ka konfirmuar se zjarrfikësit kanë arritur që ta vënë nën kontroll zjarrin, i cili kishte marrë përmasa të madha.
“Ju informoj se zjarri i raportuar me herët në Prizren, nga i cili fillimisht janë djegur bar i thatë dhe shkurre, ka kapluar edhe pjesën e pishave dhe ka marrë përmasa më të mëdha duke paraqitur rrezik për qarkullim të automjeteve në rrugën Prizren-Reçan. Zjarrfikësit ndodhen në vendin e ngjarjes dhe sipas informatave të fundit, kanë arritur që ta vënë nën kontroll zjarrin”, ka thënë zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Shaqyr Bytyqi.
Ai tutje ka bërë të ditur se për rastin janë informuar polici hetues si dhe prokurori i shtetit, i cili ka urdhëruar të iniciohet rast ‘incident zjarri’.