Sulmuesi i Përfaqësueses së Kosovës, Albion Rrahmani është shprehur optimist për ndeshjen ndaj Andorrës, ku pret paraqitje pozitive dhe pse jo të tentoj të shënoj gol.
Kosova ka zhvilluar sot seancën e dytë stërvitore në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen kundër Andorrës, e cila zhvillohet të enjten, në orën 20:45, në kuadër të kualifikimeve për Euro 2024. Njëherësh kjo ishte stërvitja e fundit në Kosovë, pasi nesër në mëngjes Dardanët udhëtojnë drejt Andorrës.

Për dallim nga stërvitja e djeshme, e cila më shumë shërbeu si rigjenerim për lojtarët, këtë herë u punua me intensitet të plotë, teksa përzgjedhësi Primoz Gliha punoi edhe në aspekte teknike-taktike.
Në këtë ndeshje, për shkak të mungesës së Vedat Muriqit, pritet të ketë hapësirë edhe Rrahmani, i cili duhet t’i tregojë vlerat e tij dhe është shprehur optimistë për fitoren e parë në këtë fushatë kualifikuese.
“Gjendja e ekipit është jashtëzakonisht e mirë. Shpresoj se të gjithë bashkëlojtarët të jenë në fizikun 100 për qind. Na pret një ndeshje e vështirë, por besoj që me kualitetin që kemi do të marrim rezultatin pozitiv dhe pse jo tre pikë”, ka thënë fillimisht Rrahmani.
“Është ndjenjë e veçantë ta kesh barrën kryesore te kombëtarja, të cilën e kam ëndërruar me vite që të jem pjesë e saj. Jam shumë krenar që tashmë do të kem hapësirë që ta ndihmojë kombëtaren”.

