E mbyllur në një garazh, e rrahur, e kërcënuar me vdekje. Ajo arriti të arratisej vetëm në mëngjes dhe të lajmëronte policinë për të denoncuar burrin e dhunshëm nga i cili po ndahej. Një tridhjetë e një vjeçare nga Maddaloni tha se ajo arriti të arratisej nga garazhi në të cilin ishte mbyllur nga burri qe tani po kërkohet për dhunë në familje dhe rrëmbim.
Ajo ka rrëfyer para policisë se burri e kishte marrë me forcë mëngjesin e djeshëm nga makina e një prej kolegëve të saj, ku së bashku me djalin e saj 9-vjeçar, ishte nisur për në punë. Pas një debati të ashpër, burri mësohet se e ka dërguar atë në një shtëpi të pabanuar në zonën e via Libertà, në Maddaloni, ku pasi e rrahu dhe e kërcënoi me vdekje, e mbylli në garazh, duke u larguar me djalin dhe duke e paralajmëruar se do të kthehej për ta vrarë.
Sipas mediave italiane, gjatë natës, 31-vjeçarja ka arritur të arratiset nga “burgu i saj” duke thyer një dritare dhe duke u vetëplagosur. Falë një kalimtari, ajo më pas ka arritur të lajmërojë policinë.
31-vjeçarja ka mundur të bashkohet me të birin dhe të strehohet në një qendër në ndihmë të grave të dhunuara, ndërsa bashkëshorti i saj, 35-vjeçari shqiptar, është ende në kërkim për dhunë në familje dhe rrëmbim.