Studiuesi Ilir Ikonomi boton librin biografik “Apostulli”, kushtuar Fan Nolit

by Nexhat

Studiuesi Ilir Ikonomi përuroi sot në Tiranë librin biografik “Apostulli”, kushtuar klerikut, shkrimtarit dhe politikanit Theofan Stilian Noli, një personalitet i shquar i Shqipërisë dhe i komunitetit shqiptaro – amerikan nga fillimi i shekullit të kaluar.

Në vëllimin e parë të këtij studimi, autori sjell një mori faktesh të panjohura për jetën e Nolit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitet 1906-1920, mbi veprimtarinë e tij patriotike, kulturore dhe publicistike.

banner

Jeta e klerikut dhe veprimtarit të shquar Fan Noli vjen e rindërtuar në librin “Apostulli” të studiuesit të njohur dhe ish gazetarit të Zërit të Amerikës, Ilir Ikonomi. Vëllimi i parë i studimit biografik, i sapobotuar nga Universiteti Europian i Tiranës, përmban jetën dhe veprimtarinë e Nolit në Shtetet e Bashkuara, nga mbërritja e tij në Amerikë në vitin 1906 dhe deri në vitin 1920, kur u nis për në Shqipëri.

Autori sjell në libër mjaft të dhëna të reja, që plotësojnë tërësisht figurën dhe veprimtarinë e Nolit në Boston në fillim të shekullit XX, të zbuluara në Arkivin Qendror të Shqipërisë, Arkivin Kombëtar të SHBA-ve, Arkivin e Ministrisë së Jashtme Austriake si dhe në disa burime të tjera dokumentash. Studiuesi Ikonomi thotë se Noli gjithnjë e ka tërhequr për guximin në nisjen e punëve të madhe, teksa thyente korniza dhe hapte shtigje të reja.

“Noli ka qenë një figurë e dashur për njerëzit, sepse ishte shumë i ditur, udhëhoqi shqiptarët e Amerikës, ngriti një gazetë të rëndësishme shqipe në Amerikë, bëri një luftë për moscopëtimin e trojeve shqiptare në Konferencën e Paqes në Paris në vitet 1919-20, një gjë shumë e madhe kjo, dhe i ndriçoi shqiptarët”, thotë zoti Ikonomi.

Studiuesit mendojnë se falë burimeve të shumta arkivore, studimi ofron një portret të plotë dhe shumëpërmasor të Fan Nolit. Historiani njohur Bernd Fischer thekson në parathënien e librit se autori Ikonomi sjell fakte dhe detaje të rëndësishme dhe përshkruan në këtë biografi të re veprimtarinë kombëtare të Nolit me ngjyra të gjalla dhe stil të veçantë.

Ndërsa historiania Nevila Nika tha në ceremoninë e përurimit të librit, se për figura historike si Noli shoqëria shqiptare ka gjithmonë nevojë dhe hapësirë për kërkime dhe reflektime të reja, për shkak të veprimtarisë së gjerë dhe kohëve të vështira për të dokumentuar episode me rëndësi të jetës së tij.

“Ilir Ikonomi sjell në çdo botim lëndë të bukur, fakte që nuk i kemi ditur, këndshvështrime të reja, për të cilat jo të gjithë ne këtu në sallë dhe ata jashtë bien dakord. Për një personazh të shquar si Noli është me rëndësi që të ketë debat qytetar mbi vlerat e ngjarjeve, punës dhe shembullit të tij”, tha zonja Nika.

Për jetën e Fan Nolit është shkruar mjaft, por një pjesë e biografëve, sidomos gjatë regjimit komunist, thotë autori Ikonomi, e mbanin atë si njeri të pakritikueshëm dhe kanë shkruar vetëm lavdërime të shumta, duke fshehur dhe shtrembëruar të vërtetat.

Madje edhe sot, shton ai, ekziston ngurrimi se figura e Nolit mund të errësohet duke nxjerrë të gjitha faktet, ndërsa në këtë libër Noli është i vërtetë dhe i pafiltruar.

“Ai nuk ishte thjesht një klerik. Ai e përdori kishën shqipe, që e krijoi vet ai dhe ku mesha dhe fjala e shenjtë jepeshin shqip, për çështjen shqiptare. Kjo i solli atij dashurinë e njerëzve. Në kishën e Nolit nuk vinin vetëm besimtarë ortodoksë, por vinin edhe shqiptarët muslimanë, sepse aty flitej për Atdheun, për patriotizmin, për të ardhmen e vendit të tyre. Ishte viti 1908 kur Noli çeli kishën shqipe dhe njerëzit donin të mësonin nga Noli si do të shkonte fati i Shqipërisë me autonomi apo pavarësi, si duhej të qeverisej dhe të forcohej ajo”, tha zoti Ikonomi.

Fan Noli është një nga figurat e rëndësishme të historisë së Shqipërisë. Ai mbërriti në SHBA nga Egjipti në 1906, kur ishte 24 vjeç, ku nisi veprimtarinë kombëtare.

Noli krijoi kishën ortodokse shqipe, ndihmoi në bashkimin e emigrantëve shqiptarë rreth çështjes kombëtare, shfrytëzoi publicistikën për të shpalosur platformën kombëtare për pavarësi nga Perandoria Osmane dhe vetëqeverisje.

Noli përktheu në shqip Biblën, liturgjitë dhe meshat fetare, si edhe disa nga autorët më të mirë të letërsisë botërore.

Me studimin biografik “Apostulli” kushtuar Fan Nolit, autori Ilir Ikonomi plotëson më tej galerinë e tij të monografive kushtuar figurave të shquara në historinë e Shqipërisë Ismail Qemali, Esad Toptani dhe Faik Konica. /VOA

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy