“Vajza shqiptare” e holandezit Jan Frederik Pieter Portielje: “Ajo është e dlirë dhe e ndrojtur”

by engel

Tabloja e titulluar, “Vajza shqiptare” (77.5 x 63.5 cm) e piktorit të shquar holandez, Jan Frederik Pieter Portielje, realizuar në vitin 1870, ndoshta është nga më interesantet dhe më përfaqësueset e galerisë së punëve të mjeshtrit të penelit.

Ajo është e dlirë dhe e ndrojtur. Qëndron e rrethuar nga një ngulm që e bën të drithërojë, ndërsa rreket të përgjojë zërat që i gofojnë nga brenda shpirtit. Por ajo qëndron në prehjen e një urtësie që e shenjtëron, përkundet në prehrin e një andjeje që e ledhaton me adhurim.

banner

Nuk mund të idealizohej bukuria e femrës shqiptare më përsosmërisht se kaq. Asnjë adhurim hijeshije dhe blatim artistik, nuk mund ta tejkalonte këtë dlirësi hyji të sharmit dhe finesës femërore. Çdo ëndje rrëmbimi dalldisës e këtij çasti, do të ishte e denjë për këtë kumt shprehës, siç do të ishte e përligjur çdo poetikë këndimi e kësaj përkorjeje.

Impresionuese janë ngjyrat e ndezura, karakteristike për punët e piktorit, në të njëjtën kohë evidentim i elementeve të veshjes së gruas shqiptare, gruas së stolisur, gruas që dëshmon saora pragun e një solemniteti, sepse e tillë është gjithçka që tipizon kuadrin.

Tiparet e portretit dhe ato fizike, bashkëshoqërojnë këtë harmoni të përsosur me veshjen, krejt atë sublime që shpreh në vetvete tabloja.

E vendosur në një sfond të errët, çdo element i ngjyrave të ndezura dhe dritës, plazmon duke mos lënë asgjë të hirit të kësaj bukurie të dlirë të shterrojë.

Një droje që nuk e lejon atë të shoh piktorin, ndërsa ai rreket ta nxjerrë nga imagjinata, e bën më mikluese femrën tek ajo, dhe më të përkorë fisniken që mëton kjo shprehshmëri e kulluar estetike.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy