Çfarë përmban draft-statuti për Asociacionin e komunave me shumicë serbe?

by Nexhat

Pas shumë vitesh të përpjekjeve të pasuksesshme të bashkësisë ndërkombëtare që Kosova dhe Serbia t’i harmonizojnë qëndrimet e tyre për këtë çështje, BE-ja njoftoi në fund të tetorit se atyre u është dorëzuar një “draft-statut modern” për formimin e Asociacionit.

Radio Evropa e Lirë siguroi qasje në draft-statutin për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, i cili u hartua nga zyrtarët evropianë

banner

Në Qeverinë e Kosovës nuk deshën ta komentojnë atë, ndërsa burime të REL-it në Bruksel konfirmuan se është njëri nga draftet e fundit, i cili, megjithatë, mund të pësojë disa ndryshime të vogla.

Ky dokument për themelimin e Asociacionit duhet t’i ofrojë një nivel të caktuar të vetëmenaxhimit komunitetit serb në Kosovë.

Mes tjerash, ai parasheh qartë mundësinë e mbështetjes financiare të Asociacionit nga ana e Serbisë, si dhe “një kanal efikas dhe të drejtpërdrejtë të komunikimit ndërmjet komunitetit serb të Kosovës dhe Qeverisë së Kosovës përmes Ministrisë së Administrimit të Vetëqeverisjes Lokale”.

Kompetencat e tij janë arsyet përse autoritetet në Kosovë kanë refuzuar, deri më tash, ta formojnë Asociacionin.

Për të, Prishtina dhe Beogradi kanë arritur marrëveshje në Bruksel, në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Në Kosovë thonë se, si i tillë, Asociacioni mund ta kërcënojë funksionalitetin e brendshëm të shtetit, ashtu siç është rasti i Republikës Sërpska në Bosnje dhe Hercegovinë.

Në vitin 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës konstatoi se disa nga parimet e Marrëveshjes për Asociacionin nuk janë në vijë me Kushtetutën e vendit, por theksoi se ato mund të harmonizohen në përputhje me të.

Pas shumë vitesh të përpjekjeve të pasuksesshme të bashkësisë ndërkombëtare që Prishtina dhe Beogradi t’i harmonizojnë qëndrimet e tyre për këtë çështje, BE-ja njoftoi në fund të tetorit se atyre u është dorëzuar një “draft-statut modern” për formimin e Asociacionit.

Vendet e tjera perëndimore – SHBA-ja, Gjermania, Franca dhe Italia – e mbështetën atë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha për herë të parë se draft-statuti për formimin e Asociacionit është “i pranueshëm”, sepse është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Dokumenti u pranua edhe nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Autoritetet serbe thanë publikisht se ai është në përputhje edhe me Kushtetutën e Serbisë dhe me marrëveshjet e arritura më parë në kuadër të dialogut me Kosovën.

Kompetencat dhe marrëdhëniet me autoritetet qendrore

Pjesa e draft-statutit të Asociacionit që u referohet kompetencave të tij, specifikon se ky organ ka të drejtë të miratojë vendime, rregullore, udhëzime dhe deklarata.

Gjithashtu ka kompetenca të plota mbi nivelin lokal, përkatësisht në fushat e zhvillimit ekonomik, planifikimit hapësinor, shëndetësisë, arsimit dhe mbrojtjes së identitetit kulturor dhe fetar

Në pjesën për marrëdhëniet me pushtetin qendror thuhet se Asociacioni nuk do t’i cenojë apo anashkalojë autoritetet kushtetuese dhe ligjore dhe kompetencat e tyre, si dhe nuk do t’i cenojë në asnjë mënyrë marrëdhëniet kushtetuese dhe juridike ndërmjet pushtetit qendror dhe atij lokal, gjatë përmbushjes së qëllimeve të tij.

Shtohet se marrëdhëniet me autoritetet qendrore do të bazohen në bashkëpunimin e ndërsjellë dhe shkëmbimin e informacioneve në frymën e promovimit të demokracisë, multietnicitetit dhe shoqërisë së integruar, në përputhje me ligjet aktuale të Kosovës

Po ashtu, Asociacioni ka të drejtë të iniciojë apo të jetë palë në procedurat para gjykatave, përfshirë Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, nëse vendimet apo veprimet e ndonjë institucioni ndikojnë në ushtrimin e kompetencave të tij në përputhje me statutin.

Struktura organizative dhe buxheti

Në bazë të draft-statutit, Asociacioni i komunave me shumicë serbe, përveç simboleve të tij, do të ketë edhe kuvendin, kryetarin dhe nënkryetarin, mekanizmin këshillëdhënës, administratën dhe zyrën për ankesa.

Organi kryesor i Asociacionit duhet të jetë kuvendi, i cili miraton propozime për ndryshime ose amendamente të statutit, miraton rregullore, vendime ose deklarata.

Gjithashtu, kuvendi i Asociacionit do të jetë ai që emëron dhe shkarkon kryetarin dhe nënkryetarin.

Përveç kryetarit, kuvendi duhet të ketë së paku dy nënkryetarë. Anëtarët e kuvendit zgjidhen nga anëtarët e kuvendeve komunale, të cilat janë anëtare të Asociacionit.

Selia e Asociacionit duhet të jetë në Mitrovicën e Veriut – njëra prej katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Sa i përket financimit, parashikohet që Asociacioni ta ketë buxhetin e tij, të cilin do ta menaxhojë “me përgjegjësi dhe në mënyrë transparente”.

Specifikohet, po ashtu, se Asociacioni duhet të ketë një llogari në një bankë të licencuar nga Banka Qendrore e Kosovës.

Asociacioni mund të financohet nga buxheti i tij, kontributet nga anëtarët e tij, institucionet qendrore, donacionet, si dhe nga mbështetja financiare e institucioneve të tjera vendase ose ndërkombëtare, përfshirë Serbinë.

Buxheti dhe shpenzimet duhet të jenë nën mbikëqyrjen e BE-së për një periudhë pesëvjeçare.

Asociacioni duhet të përbëhet nga komunat me shumicë serbe në Kosovë, të cilat aktualisht janë dhjetë: Graçanica, Shtërpca, Parteshi, Ranillugu, Kllokoti, Novobërda, Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku.

Megjithatë, çdo komunë tjetër në Kosovë mund t’i bashkohet atij nëse ajo dëshiron.

Çfarë është e re?

Përveçse thuhet se Asociacioni nuk do të jetë ndonjë nivel i tretë i qeverisjes, theksi vihet edhe te çështja e menaxhimit të institucioneve arsimore dhe shëndetësore në Kosovë

Këto institucione janë pothuajse të vetmet që nuk janë integruar asnjëherë në sistemin e Kosovës.

Të gjitha institucionet arsimore në komunitetet serbe në Kosovë veprojnë nën Ministrinë e Arsimit të Qeverisë së Serbisë.

Këtu bëjnë pjesë: institucionet parashkollore, shkollat fillore dhe të mesme, si dhe universiteti me seli në Mitrovicën e Veriut.

Ndërkaq, për institucionet shëndetësore në komunitetet serbe në Kosovë, përgjegjëse është Ministria e Shëndetësisë e Qeverisë së Serbisë.

Përveç shtëpive të shëndetit apo ambulancave lokale, ekziston edhe një qendër klinike spitalore në Graçanicë – afër Prishtinës – dhe në Mitrovicë të Veriut, si dhe një qendër shëndetësore në Partesh.

Draft-statuti parashikon që këto institucione të bëhen private, nën ombrellën e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe që Serbia të japë “kontribut financiar”.

Sektori privat i arsimit dhe shëndetësisë

Specifikohet se institucionet arsimore dhe shëndetësore në Kosovë do ta kishin “statusin e institucioneve të huaja private” dhe se do të merrnin leje, përkatësisht licenca pune, në përputhje me ligjin aktual të Kosovës.

“Kurrikula është e rregulluar në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në draft-statut.

Megjithatë, nuk është ende e qartë se si do të ishte plan-programi arsimor në këtë rast, marrë parasysh se Kosova dhe Serbia kanë pikëpamje krejtësisht të ndryshme sa i përket historisë apo gjeografisë.

Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e cila u shpall në vitin 2008, dhe vazhdon ta konsiderojë atë si pjesë të territorit të saj.

Në draft-statut thuhet se institucionet arsimore dhe shëndetësore mund t’i shfrytëzojnë objektet që i ka financuar Serbia, por se kjo nuk do ta pengojë sistemin ekzistues arsimor dhe shëndetësor të Kosovës

Thuhet, po ashtu, se Asociacioni do të ketë kompetenca të plota në lidhje me arsimin, që nënkupton bashkëpunimin ndërmjet anëtarëve, prezantimin e politikave arsimore para autoriteteve qendrore, ofrimin e mbështetjes ligjore dhe financiare për anëtarët e tij, këshillimin e autoriteteve qendrore në lidhje me kurrikulat e Serbisë, ofrimin e këshillave për ndryshime dhe plotësime në ligjin për arsim, e kështu me radhë.
Diplomat do të lëshoheshin dy herë, si në sistemin e Kosovës ashtu edhe në atë serb, dhe do të njiheshin nga të dyja vendet.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe do t’i ketë pothuajse të njëjtat kompetenca edhe në fushën e kujdesit shëndetësor, përkatësisht do ta lehtësojë bashkëpunimin ndërmjet anëtarëve në lidhje me përmirësimin e kujdesit shëndetësor parësor dhe dytësor, do ta prezantojë politikën shëndetësore dhe sociale para autoriteteve qendrore, do të financojë projekte të infrastrukturës, pajisjeve dhe materialeve të tjera mjekësore, do të financojë ose mbledhë fonde për asistencë sociale etj.

Kultura, zhvillimi ekonomik, planifikimi hapësinor, kthimi…

Sipas draft-statutit, Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet t’i promovojë dhe mbrojë të drejtat e anëtarëve të tij në fushën e kulturës, gjuhës dhe fesë.

Kjo nënkupton, mes tjerash, financimin e projekteve që lidhen me trashëgiminë kulturore brenda “kufijve administrativë” të Asociacionit, si dhe mirëmbajtjen, rehabilitimin apo ndërtimin e trashëgimisë kulturore.

Asociacioni, gjithashtu, duhet të ketë kompetenca të plota në nivel lokal kur bëhet fjalë për zhvillimin ekonomik dhe duhet të ofrojë ndihmë financiare në këtë fushë.

Kompetenca të plota në nivelin lokal janë paraparë edhe për planifikimin hapësinor – urban dhe rural.

Draft-statuti përmend edhe kthimin në Kosovë në përputhje me Rregulloren për Kthimin e Personave të Zhvendosur, të vitit 2018, dhe ligjet aktuale.

Kjo rregullore është miratuar nga Qeveria e Ramush Haradinajt dhe ka të bëjë me krijimin e kushteve të nevojshme për arritjen e zgjidhjeve të përhershme për personat e zhvendosur brenda Kosovës dhe në rajon, në periudhën prej 28 shkurtit 1998 deri më 31 mars 2004.

Rregullorja parashikon ndërtimin e banesave për të kthyerit dhe për personat e zhvendosur brendapërbrenda, prona e të cilëve vlerësohet se ka dëme të konsiderueshme ose është dëmtuar plotësisht. Ata në kategorinë e rëndë marrin materiale ndërtimi dhe ndihmë punësimi, ndërsa atyre të kategorisë së mesme u ofrohen materiale ndërtimi ose paketa të pjesshme ndihme, varësisht numrit të anëtarëve. /rel/

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy