Rrjeti “SafeJournalists” ka dënuar ashpër kërcënimet ndaj gazetareve Ardiana Thaçi Mehmeti dhe Erjona Gjikolli të emisionit KIKS Kosova që transmetohet në Klan Kosova.

Veç reagimit për gazetaret e KIKS Kosova, ky rrjet i organizatave për mbrojte të gazetarëve ka reaguar edhe ndaj kërcënimeve ndaj gazetarit të televizionit “Vijesti” në Mal të Zi, Nikola Millosaviq Aleksiq.
“Thaçi Mehmeti dhe Gjikolli kanë marrë kërcënime me vdekje ndaj tyre dhe familjarëve të tyre, pas hetimit ndaj këngëtarit Errol Murati, i cili siç ka rezultuar nga hetimet është përfshirë në mashtrime me pasaporta sllovene, si dhe në rishitje të veturave. Në një email dërguar Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), gazetaret deklarojnë se ata dhe familjet e tyre janë kërcënuar me vdekje nga një profil i sapohapur në Facebook. Siç thonë gazetaret, mesazhet shkruanin: ‘Keni fëmijë; të gjithë jeni të rrethuar nga fëmijë, unë do t’ua vë flakën…’. Rasti është raportuar në Policinë e Kosovës”.
“Ne jemi thellësisht të shqetësuar dhe i refuzojmë kërcënimet ndaj kolegëve tanë Nikola Millosaviq Aleksiq në Mal të Zi dhe Ardiana Thaçi Mehmeti dhe Erjona Gjikolli në Kosovë. Këto kërcënime janë sulme të drejtpërdrejta jo vetëm ndaj këtyre gazetarëve, por edhe mbi thelbin e lirisë së shtypit dhe demokracisë në të dy vendet. Ne u bëjmë thirrje autoriteteve të veprojnë me shpejtësi dhe vendosmëri në penalizimin e autorëve duke ndjekur ligjet kombëtare. Angazhimi ynë është i vendosur: ne do të qëndrojmë gjithmonë për sigurinë e gazetarëve dhe të drejtën themelore të fjalës së lirë. Sulmi ndaj çdo gazetari është një sulm ndaj të drejtës së secilit për të qenë i informuar. Ne solidarizojmë me kolegët tanë dhe kundërshtojmë çdo formë të kërcënimit apo dhunës ndaj gazetarëve”, deklaroi Dragan Sekulovski, drejtor i Rrjetit “SafeJournalists”, raporton Klankosova.tv.
Rrjeti thotë më tej se kërcënimet ndaj gazetarit Nikola Milosaviq Aleksiq erdhën pasi ai e ka telefonuar pronarin e kompanisë “Trudbenik”, Vuksan Radonjiq, dhe i ka kërkuar koment për një temë që ka të bëjë me kompaninë që ka në pronësi.
“Radonjiq ka bërë një sërë ofendimesh dhe kërcënimesh ndaj gazetarit. Ndër të tjera, Radonjiq kërcënoi se do t’i ‘presë kokën’ gazetarit dhe ‘të mos publikojë asgjë në lidhje me të dhe restorantin e tij’”, ka thënë ky rrjet.
Policia në Podgoricë ka reaguar me shpejtësi dhe ka ndaluar e më pas ka arrestuar Vuksan Radonjiqin, i cili dyshohet për kërcënime. Radonjiq është arrestuar me urdhër të prokurorit të shtetit në Prokurorinë Themelore të Shtetit në Podgoricë.
Rrjeti “SafeJournalists”, i cili përfaqëson më shumë se 8,200 profesionistë të medias në Ballkanin Perëndimor, iu bashkohet anëtarëve të tij TUMM dhe AJK për të dënuar ashpër kërcënimet e drejtuara ndaj gazetarëve. Rrjeti mbështet reagimin e shpejtë të policisë dhe prokurorisë në Mal të Zi dhe u bën thirrje autoriteteve që të çojnë procedurat deri në fund dhe të ndëshkojnë autorët sa më shpejt të jetë e mundur.
Rrjeti po ashtu kërkon nga institucionet kompetente në Kosovë që t’i japin përparësi rastit të kërcënimeve ndaj gazetareve femra dhe të ndërmarrin hapat e duhur që personi që fshihet pas profilit të rremë dhe kërcënimeve të gjendet dhe të ndëshkohet në mënyrë adekuate.
Rrjeti “SafeJournalists” thekson se institucionet duhet të demonstrojnë se nuk do të heshtin përballë asnjë sulmi dhe kërcënimi ndaj punonjësve të medias, ndërsa thotë se do të informojë palët përkatëse kombëtare dhe ndërkombëtare për këto raste.
“Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve”, ka theksuar Rrjeti “SafeJournalists”.