Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, gjatë ditës së sotme do të mbajë mbledhjen e Kryesisë për të diskutuar për versionin zyrtar të draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, pranuar nga Bashkimi Evropian.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka qenë i pari që publikisht ka thënë se e ka parë draft-statutin për Asociacionin, ndonëse dy partitë tjera opozitare e patën mohuar që e kanë parë atë.
“Patëm mundësinë që të njoftohemi me dokumentin e draft-statutit, pra që ta lexojmë në tërësi”. Kjo ishte deklarata e kryetarit të subjektit opozitar, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, pas takimit me emisarin evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë të banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.
Draft-statuti i Asociacionit i është prezantuar fillimisht kryeministrit Albin Kurti gjatë vizitës së pesëshes evropiane në Prishtinë gjatë muajit tetor, e ku ishte i pranishëm edhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.