Për herë të parë në histori, një vajzë me flokë të shkurtra dhe pa format e zakonshme që jemi mësuar në konkurse bukurie, ka fituar titullin “Miss France” dhe menjëherë kanë shpërthyer polemikat.
20-vjeçarja Eve Gilles u kurorëzua përpara 7,5 milionë spektatorëve, të cilët ishin mësuar që Miss-i të ishte me flokë të gjatë dhe me forma trupore perfekte.
“Kemi parë Miss-e me flokë ta gjatë, por unë zgjodha një pamje androgjinore me flokë të shkurtër. Askush nuk duhet të na thotë se si duhet të dukemi. Gratë janë të ndryshme dhe të gjitha jemi të veçanta”, tha Gilles pasi mori çmimin.
Fituesja e Miss France zgjidhet me votat e publikut dhe të jurisë. Gilles doli e treta nga votat e publikut, ndërsa votat e jurisë e katapultuan në vendin e parë.
Eve Gilles është Miss-i i parë francez me flokë të shkurtra në historinë 103-vjeçare të konkursit të bukurisë.