Kuvendi mblidhet sot në një nga seancat më të rëndësishme plenare, ndërsa në pikë të parë të rendit të ditës është dhënia e autorizimit për arrestimin e ish-kryeministrit Sali Berisha.
Vetë zoti Berisha ka paralajmëruar se nuk do të njohë vendimin e Parlamentit. Ndërsa e enjtja parlamentare pritet të prodhojë kaos me flakadanë brenda sallës së Kuvendit dhe paralelisht protestë në ambientet e jashtme.
Këtë herë, pas vetes, për të kundërshtuar SPAK-un dhe për skenarin e së enjtes, Berisha ka edhe deputetin Gazment Bardhi, i cili në një prononcim të mëhershëm theksoi se “detyra jonë është të vijojmë aksionin brenda sallës”.
Por çfarë pritet të ndodhë sot në Kuvend? Cilët janë skenarët që parashikohen?!
Seanca plenare këtë të enjte nis me shqyrtimin dhe votimin e raportit të Këshillit të Mandateve, këshill i cili i dha dritën jeshile autorizimit të kërkuar nga SPAK, për arrestin me burg apo arrest shtëpie për deputetin Sali Berisha.
Deputetët e opozitës pritet të mbërrijnë në parlament rreth orës 9. Së bashku me ta do jenë edhe tre deputetët më të fundit të përjashtuar me 10 ditë Edmond Spaho, Kastriot Piroli dhe Saimir Korreshi.
Burime për Top Channel nga grupi parlamentar i PD pohojnë se do të përsëriten të njëjtat veprime si seancën e shkuar. Të tentuarit në çarjen e kordonit të gardës për të mundësuar futjen në parlament edhe të tre kolegëve të tyre të përjashtuar, gjë e cila do të bllokojë hyrjen në sallën plenare të deputetëve socialist.
Nuk përjashtohet mundësia e bllokimit të ligjvënësve socialist në hyrjen kryesore të kuvendit dhe në atë anësore nga krahu Akademisë së Shkencave. Nëse ky skenar do të vihet në veprim, atëherë do të kemi përsëritjen e situatave me protestat e Lulëzim Bashës në 2019, kur bllokohej hyrja e deputetëve socialist nga protestuesit e tij.
Deputetët e opozitës e kanë bërë të qartë se nuk do të jenë prezent momentet kur do të votohet raporti këshillit të mandateve, moment i dhënies fuqi absolute autorizimit të kërkuar nga SPAK për deputetin Berisha. Në rendin e ditës të kësaj seance të fundit të parlamentit për këtë vit, janë edhe projektligji me ndryshimet e ngritjes të Komisioneve Hetimore Parlamentare, një tjetër projektligj për ndryshime në ligjin e tatimeve, si edhe tre ratifikime marrëveshjes ndërkombëtare./Top Channel