Sot përkujtojmë 111-vjetorin e vdekjes së rilindësit të shquar, Gjergj Qiriazi. Ai lindi më 27 mars të vitit 1865 dhe ndoqi shkollën fillore greke. Gjergji ishte fëmija i katërt i familjes Qiriazi, nga dhjetë fëmijë që ishin gjithsej.
Ai ndoqi studimet në Seminarin Teologjik të Samokovit dhe pati lidhje të ngushtë me Shoqërinë Biblike Britanike dhe për Vendet e Huaja që prej vitit 1890, ku filloi shërbesën e tij si përgjegjësi i Shoqërisë për Shkodrën.
Pas vdekjes së vëllait të tij Gjerasimit më 1894, iu delegua detyra si depozitar dhe mbikëqyrës i shitjes së librave të Shoqërisë Biblike Britanike për Shqipërinë dhe Maqedoninë. Gjergji njihet për rolin e tij në lëvizjen protestante shqiptare.
Ishte arketari i parë i Vëllazërisë së Ungjillorëve dhe përkthyes/botues i librave si “Udhëtari” (Pilgrim’s Progress), këngëtoren e himneve të adhurimit dhe “Krestomaci”.
Gjithashtu, është e udhës të theksojmë sot rolin e rëndësishëm që Gjergj Qiriazi luajti në Kongresin e Manastirit. Gjergji pa nevojën për një alfabet të përbashkët për botimet dhe mësimet shqip dhe për këtë arsye bëri thirrjen që të organizohej një kuvend që do të vendoste për këtë çështje.
Kjo thirrje u përmbush në vitin 1908, ku vetë Gjergji ishte organizator dhe zëvendëskryetar i Kongresit. Në vitin 1909 ishte delegat në Kongresin Arsimor të Elbasanit. Më 30 dhjetor të vitit 1912, Gjergj Qiriazi ndërroi jetë në orën dhjetë të mëngjesit nga një goditje që pati në zemër.
(Në foto, kopertina e librit “Gjergj Qiriazi në Kongresin e Manastirit” (vëll. I dhe II), botuar nga ISSHP më 2019, në bashkëbotim me ITSHK Shkup. Autor i këtij libri është profesori i nderuar Xhevat Lloshi, laureati i çmimit “Vepra studimore më e mirë” për vitin 2023)/ Marrë nga Institute for Albanian & Protestant Studies