Lutfi Haziri: 2023-ta, vit i humbur, Kurti dhe Osmani po manipulojnë me qytetarët

by engel

Në një intervistë për Dukagjinin, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, e ka konsideruar vitin 2023 si një “vit të humbur” për Kosovën, duke akuzuar kryeministrin Kurti dhe presidenten Osmani për manipulim të popullit me rrezikun e sulmeve nga Serbia për të mbuluar problemet tjera, teksa ka shtuar se “në një vend që flitet më shumë për luftë sesa për paqe, është për keqardhje”.

Ai në intervistë për portalin Dukagjini ka theksuar se situata politike ka shënuar një degradim të marrëdhënieve me Bashkimin Evropian (BE) dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA).

banner

Problemet dhe tensionet e vazhdueshme të Kurtit me vendet e rajonit, sipas ishin shkaku i aspiratave të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të marrë pjesë në zgjedhje në vende të tjera. “Probleme e tensione të vazhdueshme me vendet në rajon për shkak të aspiratave të z.Kurti për të marr pjesë në zgjedhje në Shqipëri e Maqedoni e Veriut, ndërhyrja brutale në zgjedhjet e mbajtura në Preshevë, Bujanoc, Medvegjë”, ka thënë Haziri.

Ai po ashtu ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të themelohet nga një kundërshtar i madh i saj, në një përqafues të këtij procesi, duke aluduar në Albin Kurtin i cili në të kaluren e kishte luftuar ashpër Asociacionin.

“ ‘Zajednica’ e z.Kurtit do të formohet, nga një kundërshtar i madh i saj në një përqafues të këtij procesi. Për vitin e ardhshëm, aleatët tanë presin të kenë implementim të marrëveshjes Kurti-Vuçiq. Jemi në pritje të Qeverisë së Kosovës, pasi që Vuçiq vetëm se filloi me implementimin e marrëveshjes për targat RKS, që vjen si rezultat i marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015”, ka thënë Haziri.

Tutje Haziri ka shprehur shqetësimin e tij ndaj mosveprimit të Qeverisë në lidhje me draftin e Asociacionit.

Duke thënë se po quhet si “model evropian” për Kosovën, ai ka akuzuar Qeverinë për mosdërgim të komenteve, duke shtuar se partnerët ndërkombëtarë presin përfundimin e kësaj faze sa më shpejtë.

Ai po ashtu, ka shprehur shqetësimin për një pako të dytë të masave ndëshkuese për Kosovën nga BE-ja, duke theksuar dështimin e Qeverisë në përfundimin e obligimit për draftimin e statutit në një kohë të arsyeshme.

“Mosveprimi i Qeverisë ka bërë që draft statuti të përgatitet nga ekspertët e BE-së. Po quhet model evropian për Kosovën dhe është në fazën e komenteve nga Kosova dhe Serbia. Tani po thuhet se Qeveria dhe kryeministri ynë nuk kanë dërguar as komente, e në anën tjetër partnerët ndërkombëtarë pritjen e kanë që kjo fazë të kryhet sa më shpejtë dhe procesi të ecë përpara sepse BE dhe ShBA nuk kanë kohë për shkak të zgjedhjeve. Deri tash dihet se Kosova është nën masa ndëshkuese dhe nëse vazhdon kështu pritet edhe pako e dytë e masave ndëshkuese”, ka thënë Haziri.

Ai ka shtuar se Qeveria Kurti e anashkalon opozitën dhe nuk ka dialog me askënd.

“Ka degraduar shëndetësia, arsimi, po bën lojë me njësitet e specializuara të Policisë së Kosovës, mospërmbushje e kërkesave të sindikalistëve të arsimit, shëndetësisë, policisë e të tjerëve. Një numër të madh të vendimeve të tij i ka rrëzuar Gjykata Kushtetuese, e kjo është tregues i qartë se ai nuk po qeveris me Kosovën, por po administron”, ka deklaruar tutje ai.

Lutfi Haziri ka shprehur gatishmërinë për zgjedhje të parakohshme, Lutfi Haziri ka theksuar se LDK-ja ka çdo kapacitet njerëzor, politik, dhe ekspertizë të nevojshme, duke përfshirë një program politik të operacionalizuar dhe buxhetuar. “LDK ishte e gatshme për zgjedhje dje, është e gatshme për zgjedhje sot”. ka thënë Haziri.

Më tej nënkryetari i LDK-së, ka shtuar se ata njohin problemet e Kosovës dhe kanë zgjidhje për to, duke paraqitur partinë e tij si një alternativë të fuqishme dhe të përgatitur për të drejtuar vendin.

“Mundësia tjetër është nëse Presidentja, në pajtim me partitë e tjera politike cakton datën e zgjedhjeve. Zgjedhjet e parakohshme të cilat i shkurtojnë mandatin z.Kurti vetëm për 4 muaj nuk mund të quhen zgjedhje të parakohshme. Të parakohshme mund të quhen vetëm ato zgjedhje të cilat mbahen deri në qershor. Por, edhe nëse dëshirojnë t’i mbajnë në muajin gusht, zgjedhjet janë të mirëseardhura. Në atë muaj mërgimtarët janë këtu, dhe mund ta shprehin lirshëm vullnetin e tyre pa pasur nevojë të shpenzohen dy herë”, është shprehur mes tjerash Haziri.

”Kurti e Osmani manipulojnë me rrezikun e sulmeve nga Serbia”

I dyti i LDK-së, Lutfi Haziri ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me deklaratat e fundit të presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti, për sulmet e mundshme nga Serbia.

Ai ka vlerësuar se deklaratat e Osmanit dhe Kurtit janë pjesë e një përpjekjeje për manipulim dhe për të shpërndarë vëmendjen e publikut nga problemet e tjera që vendi po përballet me to.

“Në një vend që flitet më shumë për luftë sesa për paqe, është për keqardhje. Ne, në kohët më të errëta të vendit tonë, kur kemi pasur rrezikun më të madh nga Serbia, kemi folur e punuar për paqe. Kemi bërë rezistencë për një dekadë. Tani, në një shtet të pavarur e sovran, të pranuar nga bota më e civilizuar demokratike, të flitet vetëm për luftë, në kohën kur organet e sigurisë, FSK-së dhe AKI-së janë në punën e tyre, është manipulim dhe tendencë për ta hequr vëmendjen e popullit nga problemet e tjera”, ka deklaruar ndër të tjera ai.

Sipas tij, liderët që punojnë dhe angazhohen për paqe, instrument të fundit në politikë e shohin luftën.

“Ne kemi në zyre eksponentë politikë që luftën e krizën i kanë mjete për të mbetur në politikë. Kjo është tragjike dhe kërcënim i madh për këtë vend”, ka deklaruar tutje ai.

Sugjerimet e LDK-së për të rritur sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë, sipas tij, janë “të punohet në politikën e brendshme 100 për qind, e të mos merren me shifra e numra për tre vite”.

Kurti, sipas Hazirit, përgjatë tre vjetëve nuk ka qeverisur me Kosovën por ka administruar, dhe së bashku me të në krah të djathtë presidentja Osmani, e në krahun e majtë kryeparlamentari Glauk Konjufca.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy