Stano: Marrëveshja është e detyrueshme në tërësinë e saj, si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë

by Merita

Bashkimi Evropian ka konfirmuar pranimin e një versioni përfundimtar të letrës nga kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, përmes së cilës ishte zotuar se Serbia nuk e zbaton nenin që obligon palët të mos e pengojnë njëra-tjetrën në arenën ndërkombëtare. Megjithëse nuk e kanë zbardhur përmbajtjen finale të dokumentit, në BE kanë thënë se Marrëveshja Bazë dhe Aneksi për zbatimin e saj janë obliguese.

Marrëveshja e Brukselit dhe aneksi për zbatimin e saj do të jenë pjesë integrale e rrugës së Kosovës dhe Serbisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian, kanë thënë zyrtarë të Bashkimit Evropian.

banner

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se marrëveshja është e detyrueshme në tërësinë e saj.

Ishte Serbia që përmes një letre nga kryeministrja Ana Bërnabiq, e njoftoi BE-në se nuk merr përsipër zbatimin e të gjithë marrëveshjeve.

Serbia ka kundërshtuar nenet që i kërkojnë të mos e pengojë Kosovën për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

“Në përgjithësi, ne nuk e komentojmë përmbajtjen e korrespondencës me BE-në. Megjithatë, mund të konfirmojmë se BE-ja ka marrë një version përfundimtar të letrës nga kryeministrja serbe, Bërnabiq. Bashkimi Evropian përsërit se Marrëveshja është e detyrueshme në tërësinë e saj për të dyja palët. Zbatimi i saj do të jetë pjesë integrale e rrugës së tyre përkatëse evropiane”.

“Marrëveshja me aneksin e saj të zbatimit është bërë ligjërisht e detyrueshme përmes deklaratës me shkrim të përfaqësuesit të Lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, të datës 18 mars 2023. Ky ka qenë qëndrimi konsistent i BE-së, i cili gjithashtu është komunikuar publikisht në disa raste”, ka deklaruar Stano për Kohën.

BE-ja pret nga palët që të demonstrojnë përkushtim serioz dhe përpjekje për të arritur kompromisin që çon përpara normalizimin e marrëdhënieve.

“Ato (palët) duhet të mbështesin angazhimet e tyre të dialogut dhe të angazhohen për zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve nga dialogu i kaluar, në veçanti Marrëveshjen për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksin e Zbatimit të saj”.

“Normalizimi i marrëdhënieve është një kusht thelbësor në rrugën evropiane të të dyja palëve dhe të dyja rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme në mungesë të përparimit”, ka theksuar Stano.

Kosova – e cila ka shpallur pavarësinë në vitin 2008 – dhe Serbia – që vazhdon ta kundërshtojë atë – janë të angazhuara në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve qysh nga viti 2011.

Me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së, bisedimet kanë nisur fillimisht për çështje teknike, për të kaluar pastaj në nivel politik.

Palët kanë arritur dhjetëra marrëveshje – nga lëvizja e lirë deri te çështja e të zhdukurve nga lufta e viteve 1998/99 – por shumë prej tyre nuk janë zbatuar.

Bashkimi Evropian kërkon vazhdimisht nga to që të zbatojnë gjithçka të dakorduar.

Normalizimi i marrëdhënieve, njëherësh, është kusht për të dyja vendet që të përparojnë në procesin e integrimit në Bashkimi Evropian.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE vitin e kaluar, ndërsa Serbia është vend kandidat nga viti 2012.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy