Kur kanë mbetur më pak se dy javë nga dita kur turqit do t’u drejtohen kutive të votimit për zgjedhjet komunale, forca kryesore e opozitës, Partia Popullore Republikane (CHP) ka pushtuar titujt kryesorë të mediave për shkak të një skandali të dyshuar ryshfeti.
Prokurorët turq po shqyrtojnë një video të diskutueshme që po qarkullon në mediat sociale që tregon tre zyrtarë të CHP-së duke numëruar “blloqe” me para, që dyshohet se arrijnë në 15 milionë lira turke (rreth 430,000 dollarë me kursin e sotëm), për organizatën lokale të partisë në Stamboll.
Stambolli është në qendër të konfliktit parazgjedhor, pasi rimarrja e bashkisë së metropolit më të madh të Turqisë është për presidentin Erdogan një lojë personale dhe një vulë për suksesin jo fort të pritshëm të tij në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar.
Kryetari aktual bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamoglu, konsiderohet sot kundërshtari më i fuqishëm politik i Erdogan, i brymosur me frymën e opozitës kemaliste në 20 vitet e fundit.
Është e zakonshme të vlerësohet se Stambolli, me 18 milionë banorët e tij, me një popullsi më të madhe se 131 vende të botës, është “çelësi” i pushtetit në Turqi.
Sa i përket videos, CHP mohoi akuzat, duke thënë se paratë ishin paradhënie për blerjen e ndërtesës së re të organizatës lokale në Stamboll në vitin 2019 dhe se pamjet erdhën nga kamera e zyrës së një avokati që përfaqësonte pronarin e godinës. Partia fajësoi avokatin për publikimin e videos dhe këmbënguli se ai u përpoq t’i shantazhonte, edhe pse pamjet nuk kishin të bënin me “veprimtari kriminale”.
Ndërkohë, vetë Imamoglu mohoi pretendimet se paratë ishin përdorur për fushatën e tij dhe se video u shfaq si një përpjekje e kundërshtarëve për ta baltosur dhe denigruar figurën e tij përpara zgjedhjeve.
Nga ana tjetër, Erdogan është hedhur në sulm duke thënë se “loja është bërë edhe më e pistë me tufat e parave”, duke theksuar se “askush nuk mund t’i shpëtojë kësaj loje të pistë me gënjeshtra”. Ai tha gjithashtu se “populli do t’i kërkojë llogari për planet e tyre më 31 mars”.
Duke iu referuar të njëjtës çështje, ministri i Drejtësisë Yılmaz Tunç tha se prokurorët do të gjurmojnë burimin e parave, ndërsa për pretendimin e CHP-së se paratë janë mbledhur përmes një fushate donacionesh për zyrat e reja të partisë në Stamboll, ai tha se donacione të tilla duhet të bëhen në përputhje me rregulloren, e cila i detyron forcat politike që të mbledhin fonde vetëm përmes transfertave bankare.
Sot në prokurorinë e Stambollit si i dyshuar ka dëshmuar shitësi i dyshuar i godinës së CHP-së, Ali Riza Braka, ndërsa ditët e mëparshme kanë dëshmuar dy drejtues të organizatës lokale dhe një bashkëpunëtor i ngushtë i Imamoglu.