Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nëpërmjet një postimi në Facebook, ka reaguar ndaj vrasjes së gruas nga ish-bashkëshorti i saj në Ferizaj.
Kurti ka thënë se nuk duhet pritur që të dihen detajet për të reaguar ndaj vrasjes.
“E dënojmë ashpër këtë krim që po përsëritet. Edhe një grua e vrarë mizorisht nga tyta e armës që ekzekuton nga afërsia. Një grua e Kosovës e vrarë nga një vrasës burrë”, ka shkruar Kurti.
“Zemërimi dhe neveria bëjnë garë përbrenda secilit qytetar të Kosovës sot. Qytetarja e shtetit tonë të pavarur në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj u qëllua për vdekje”, ka shkruar ai.
“Ngushëllime familjes, të afërmve dhe miqve të saj. Drejtësia të veprojë pa vonesa duke e pranuar që efekti i deritanishëm i ka ngelur i mangët e përgjegjësia i mbetet përherë e lartë”, ka shkruar kryeministri Kurti.