Prokuroria Speciale përmes një njoftimi për media bën të ditur se ministrja e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari është paraqitur për t’u intervistuar në cilësinë e të pandehurës, nën dyshimin se ka kryer veprën penale ‘’Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’’.
Sipas njoftimit bëhet e ditur se Hajdari ka shfrytëzuar të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje duke mos u deklaruar.
“Pas interesimit të madh të mediave, Prokuroria Speciale, njofton opinionin publik se, sipas ftesës së kësaj prokurorie, Rozeta Hajdari, Ministre në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, është paraqitur në Prokurorinë Speciale për t’u intervistuar në cilësinë e të pandehurës, nën dyshimin se ka kryer veprën penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’, nga neni 414 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, lidhur me rezervat shtetërore. Mirëpo, e njëjta sot nuk është deklaruar, dhe siç e parasheh Kodi i Procedurës Penale ka shfrytëzuar të drejtën për tu mbrojtur në heshtje”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, ministrja Hajdari ka thënë para gazetarëve se nuk është intervistuar sot, por ka ardhë që të japë sqarime pranë prokurorisë për Legjislacionin që është në fuqi për rezervat shtetërore.