Surroi: Letra e Gërvallës me shkarje të mëdha – nëse Presidentja do ta çonte draftin në Gjykatë sot do të ishim në KiE

by Nexhat

Publicisti Veton Surroi i ka komentuar lëvizjet që i bënë institucionet e vendit në orët e fundit një ditë para datës 17 maj, në tentim për t’i bindur qendrat evropiane që t’a japin dritën gjelbër që Kosova të hyjë në rend dite për anëtarësim. Ai ka thënë se letra që ka dërguar Kryediplomatja Gërvalla në adresë të AP të KiE ka pasur shkarje të mëdha.

“Letra e dërguar nga MPJ-ja mendoj se ka pasur shkarje të mëdha që nga adresimi tek kush është dërguar deri te formulimet, e deri te mënyra, koha, do të thotë ka qenë letra e gabuar në kohë të gabuar me përmbajtje të gabuar. Po them e gabuar. Nuk është dashur të ndodhë. Akt që ka ndodhur dhe tash i ka reperkusionet e veta. Ato kanë të bëjnë me perceptimin që kanë palët ndaj veprimeve që i bën Kosova. Tash duhet të merremi edhe me perceptimet për këto veprime. Ky problem nuk zhduket nga vetvetja”,  ka thënë ai.

Surroi ka theksuar se drafti është dashur të dërgohet nga Presidentja Osmani duke pohuar se ky nuk është vetëm mendim i tij, por ka rrjedhur edhe nga konsultimet me diplomatë.

“Brenda Rregullores së Gjykatës Kushtetuese ekziston një detyrim që palët t’i përgjigjen gjykatës mbi zbatueshmërinë e vendimeve. Meqenëse vendimi i 2015-s nuk është zbatuar e deri tash ka pasur proces negociator, ka ekzistuar forma e atillë e korrespodencës që do ta fuste brenda një kanali zyrtar komunikimin lidhur me këtë çështje. Kjo do të nënkuptonte që Gjykata të vlerësonte a është apo jo në përputhje me aktgjykimin e 2015-s. Mendova se kjo ishte forma më e mirë e s’është vetëm mendimi im personal, por jam konsultuar edhe me sfera të tjera, përfshirë ato diplomatike. Po të ndërmerrej ky veprim besoj se sot do të ishim anëtar të KiE-së”, ka thënë ai në “Konfront” të KTV-së të enjten

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy