Filma nga 25 vende të botës janë pjesë e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit “Dea Open Air”. Festivali këtë vit shënon edicionin e tij të 11-të dhe sjell 39 filma për publikun.
Pas pesë vitesh në Sarandë, “Dea” vjen këtë vit për herë të gjashtë edhe në Tiranë.
Në filmat që janë pjesë e edicionit të 11-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit “Dea Open Air” që zhvillohet nga data 9 deri më 13 qershor, në fokus të tyre këtë vit është vendosur individi me të gjitha problematikat e tij. Një ditë më parë Mirela Oktrova drejtoreshë artistike e “Dea Open Air” tha ndër të tjera se këtë vit ajo që ka shqetësuar autorët, janë sfidat e forta të njeriut dhe komunitetit.
“Qofshin ato profesionale apo ekzistenciale apo sfida kulturore”, u shpreh Oktrova. Të gjithë pjesëmarrësit kanë aplikuar në platformat Film Freeway dhe Festhome ose në rrugë të drejtpërdrejtë në adresën e festivalit. Aplikuesit këtë vit janë jo vetëm nga vendet evropiane, por edhe më gjerë, duke i dhënë aplikimit, si në edicionet paraardhëse, gjeografi ndërkontinentale.
Drejtori i festivalit Edmond Topi thotë se këtë vit në qendër të programacionit ka qenë individi. “Mënyra se si ai përqaset në shoqëri, lufta e tij e brendshme, konfliktet të cilat infektojnë veprimtarinë e përditshme”, u shpreh Edmond Topi, drejtor i “Dea Open Air”.
Përzgjedhja e filmave
Filmat e paraqitur dhe autorët që marrin pjesë në konkurrim këtë vit i janë nënshtruar fillimisht seleksionimit paraprak të komisioneve ndërkombëtare, të mbyllur në fund të muajit mars.
Sipas organizatorëve, në garë për çmimet “Dea” komisionet e përzgjedhjes paraprake kanë vendosur të përfshijnë në programin e sivjetëm gjithsej 39 filma, prej të cilëve 6 në Seksionin e Filmit me Metrazh të Gjatë ose konkurrimin kryesor, 19 në Seksionin e Filmit të Shkurtër, 11 në Seksionin e Filmit Studentor dhe 3 në programin Cine Ko, me fokus kinemanë kosovare.
Programi i mbrëmjes së konkurrimit kryesor të festivalit, Filmit me Metrazh të Gjatë ofrohet në kinema “Dea Open Air 1” në amfiteatrin e Universitetit të Arteve.
Në kinema “Dea Opean Air 1” në amfiteatrin e Universitetit të Arteve organizohet edhe ceremonia zyrtare e hapjes si edhe mbrëmja gala e ndarjes së çmimeve.
Programi i pasdites i konkurrimit kryesor të festivalit, Filmit me Metrazh të Gjatë si edhe programet e Filmit Dokumentar, Filmit të Shkurtër dhe Filmit Dokumentar do të ofrohen në kinema “Dea Open Air 2” salla Black Box e Universitetit të Arteve, ndërsa programi Cine Ko, me fokus kinemanë kosovare, do të ofrohet në COD (Qendra për Hapje dhe Dialogun për Hapje dhe Dialog).
Edicioni i njëmbëdhjetë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit “Dea Open Air” zhvillohet me mbështetjen e Bashkisë Tiranë, Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit të Shqipërisë, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe Universitetit të Arteve.