Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ngjarjen e organizuar në Prizren për 146-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që këtë vit po mbahet në kuadër të agjendës shtetërore për shënimin e 25-vjetorit të çlirimit të vendit.
Në fjalën e tij, ai tha se Lidhja Shqiptare e Prizrenit paraqet gur themelin e përpjekjeve tona për pavarësi, e cila më pas u kurorëzua me datat e 28 Nëntorit të vitit 1912, me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, e 96 vite më pas, me 17 shkurt 2008, me shpalljen e pavarësinë e Kosovës, duke e realizuar kësisoj një pjesë të programit të Lidhjes, që nuk u arrit të plotësohet në vitin 1912
“Të ballafaquar nga vendimet e marra në Traktatet e nënshkruara në Evropë, përfaqësues të territoreve të banuara me shqiptarë, u mblodhën në Prizren dhe e themeluan Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Një organizatë kjo politike dhe ushtarake mbarë-shqiptare, në mbrojtje të drejtave shqiptare, duke përcaktuar parimet themelore për një jetë të organizuar kolektive e politike në epokën moderne. Kjo është hera e parë në histori kur shqiptarët po flisnin me një zë, pa dallim krahine e feje, duke shprehur kërkesën themelore dhe universale për vetëvendosje dhe për ruajtjen nga copëtimi i territoreve të banuara me shqiptarë”, u shpreh kryeministri Kurti.
Në 25-vjetorin e çlirimit dhe 146-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, ai po ashtu solli në kujtesë faktin që me 27 mars të vitit 1999, forcat ushtarake serbe me eksplozivë e rrënuan dhe dogjën ndërtesën, duke i rrënuar edhe shtatoret e Abdyl Frashërit dhe të Ymer Prizrenit, si një përpjekje tjetër e Serbisë, e dimensionit të gjenocidit kulturor, për të zhdukur gjurmët e historisë shqiptare vrasjet masive dhe zhdukjen e kufomave. Gjatë agresionit të shtetit serb brenda periudhës shkurt 1998 – qershor 1999 janë shkatërruar së paku 1800 monumente të trashëgimisë kulturore; janë plaçkitur mbi 3000 objekte arkeologjike dhe etnografike, e dokumentacion arkivor; dhe janë djegur mbi 1.7 milion libra në bibliotekat publike. Ky veprim në bazë të Tribunalit Ndërkombëtar të Hagës, është vlerësuar si Krim Kundër Njerëzimit
E megjithatë, “as shtypja mbi njëshekullore, plaçkitja, djegia e rrënimi, nuk kanë arritur të asgjësojnë besimin dhe luftën tonë për liri”, theksoi kryeministri.
Ai bëri thirrje që të vazhdojmë me përkushtim, bashkëpunimin e ngushtë për avancimin e vlerave të demokracisë, drejtësisë e të barazisë në vendet tona e shtetet tona, si dhe punën pa kusht, drejt integrimit së bashku të shteteve të Ballkanit Perëndimor, në Aleancën Veriatlantike e në Bashkimin Evropian, si e ardhmja më e mirë e shqiptarëve dhe e kombeve fqinjë me ne.
“Idealet politike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit le të na frymëzojnë sot në rrugëtimin tonë të përbashkët drejt avancimit të interesave të përbashkëta e forcimit politik e ushtarak, ekonomik e kulturor të shteteve tona”, tha ai në fund të fjalës së tij.
Në këtë ngjarje, gjatë të cilës u shfaqë edhe një ekspozitë e organizuar nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore, të pranishëm ishin krerët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani-Sadriu, kryeparlamentari, Glauk Konjufca, anëtarë të kabinetit qeveritar, deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, drejtues e përfaqësues tjerë të institucioneve shtetërore e lokale, e përfaqësues politikë të Preshevës e Bujanocit
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:
E nderuara, znj. Vjosa Osmani Sadriu, Presidente e Republikës së Kosovës,
I nderuari, z. Glauk Konjufca, Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës,
Të nderuar zëvendëskryeministra të Qeverisë, Besnik Bislimi, Donika Gërvalla – Schwarz dhe Emilija Rexhepi,
Të nderuar ministra të Qeverisë, deputetë të Kuvendit, zëvendësministra, drejtues e përfaqësues të institucioneve shtetërore e lokale,
Të nderuar udhëheqës të Preshevës e të Bujanocit, Ardita Sinani dhe Nagip Arifi,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Po takohemi sot në Prizrenin e lashtë, për të shënuar një datë të rëndësishme historike, atë të 10 qershorit 1878. Këtu, 146 vjet më parë, u mbajt Kuvendi me përfaqësues nga të gjitha viset shqiptare, dhe u themelua Lidhja Shqiptare e Prizrenit.
E theksojmë këtë, Prizrenin e lashtë, si togfjalësh sepse zbulimi arkeologjik i vitit të kaluar, vetëm 200 metra larg prej këtu, tregoi që Prizreni, ky ma i bukuri vend, është tetë shekuj më i vjetër sesa që kemi pandehur më herët.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit paraqet ngjarjen historike, kur gjatë pjesës së dytë të shekullit XIX janë vënë themelet e formimit të shtetit shqiptar. Të ballafaquar nga vendimet e marra në Traktatet e nënshkruara në Evropë, përfaqësues të territoreve të banuara me shqiptarë, u mblodhën në Prizren dhe e themeluan Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Një organizatë kjo politike dhe ushtarake mbarë-shqiptare, në mbrojtje të drejtave shqiptare, duke përcaktuar parimet themelore për një jetë të organizuar kolektive e politike në epokën moderne.
Kjo është hera e parë në histori kur shqiptarët po flisnin me një zë, pa dallim krahine e feje, duke shprehur kërkesën themelore dhe universale për vetëvendosje dhe për mbrojtjen dhe ruajtjen nga copëtimi i territoreve të banuara me shqiptarë.
Kjo ngjarje historike, ka qenë gur themel i përpjekjeve tona për pavarësi, e cila më pas u kurorëzua me datat e 28 Nëntorit të vitit 1912, me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, e 96 vjet më pas, me 17 shkurt 2008, me shpalljen e pavarësinë e Kosovës, duke e realizuar kësisoj një pjesë të programit të Lidhjes, që nuk u arrit të plotësohet në vitin 1912.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit ndër dekada e ndër vite, ka vazhduar të na frymëzojë në përpjekjet e popullit shqiptar për pavarësi dhe shtet-formim. E ky Kompleks ka qenë vendtakim e simbol për kombin shqiptar, duke dëftuar rrënjët e lindjes së shtetit shqiptar dhe intencën historike për bashkim kombëtar.
Sot, kur Kosova po e shënon edhe 25-vjetorin e çlirimit nga okupimi dhe gjenocidi i Serbisë, nuk mund të mos e kujtojmë faktin që ishte pikërisht Rezidenca e Lidhjes së Prizrenit, e cila u shkatërrua në mënyrë barbare nga forcat e armatosura serbe, si objekt i trashëgimisë kulturore, si rezidencë e rezistencës, e që ndodhur prapa meje e para jush.
Në mbrëmjen e 27 marsit të vitit 1999, forcat ushtarake serbe me eksplozivë e rrënuan dhe dogjën këtë ndërtesë, duke i rrënuar edhe shtatoret e Abdyl Frashërit e të Ymer Prizrenit. Përpjekjet e shtetit serb për të zhdukur gjurmët e historisë shqiptare nuk janë ndalur vetëm te vrasjet masive dhe zhdukjet e kufomave, por ka pasur edhe dimensionin e gjenocidit kulturor, duke shënjestruar monumentet me vlerë që përfaqësojnë historinë e identitetin tonë kombëtar, të gjitha vatrat e rezistencës sonë si objekte të trashëgimisë kulturore.
Gjatë agresionit të shtetit serb brenda periudhës shkurt 1998 – qershor 1999 janë shkatërruar së paku 1,800 monumente të trashëgimisë kulturore; janë plaçkitur mbi 3,000 objekte arkeologjike dhe etnografike, e dokumentacion arkivor; dhe janë djegur mbi 1.7 milion libra në bibliotekat publike. Ky veprim në bazë të Tribunalit Ndërkombëtar të Hagës, është vlerësuar si Krim Kundër Njerëzimit.
Por, as shtypja mbi njëshekullore, plaçkitja, djegia e rrënimi, nuk kanë arritur të asgjësojnë besimin dhe luftën tonë për liri. Rezistenca e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Rezidenca e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ashtu sikurse populli ynë, është ri ngritur si një feniks që rilind në mënyrë të lavdishme nga hiri dhe fluturon më tutje, edhe si politikë edhe si kulturë. Kompleksi Monumental i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit vazhdon të ruaj historinë shqiptare shumëshekullore, e cila do të prezantohet e bartet brez pas brezi, me tërë pasurinë dhe shumëllojshmërinë e saj
Andaj, sot përvjetori i Lidhjes së Prizrenit na ka bërë bashkë, krerë institucionesh nga Kosova, nga Shqipëria, nga trevat e banuara me shqiptarë, përfaqësues nga vendet e rajonit jo vetëm për të nderuar e kujtuar këtë ngjarje historike, por njëkohësisht edhe për të vlerësuar situatën ku ndodhemi tash, nevojat për t’i tejkaluar sfidat e përbashkëta, dhe aspiratat për të trasuar të ardhmen tonë njësoj të përbashkët.
Ne duhet të vazhdojmë me përkushtim, bashkëpunimin e ngushtë për avancimin e vlerave të demokracisë, drejtësisë e të barazisë në vendet tona e shtetet tona. Duhet të vazhdojmë punën pa kusht, drejt integrimit së bashku të shteteve të Ballkanit Perëndimor, në Aleancën Veriatlantike e në Bashkimin Evropian, si e ardhmja më e mirë e shqiptarëve dhe e kombeve fqinje me ne.
Idealet politike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit le të na frymëzojnë sot në rrugëtimin tonë të përbashkët drejt avancimit të interesave të përbashkëta e forcimit politik e ushtarak, ekonomik e kulturor të shteteve tona.
Ju falemnderit e gëzuar!