Kombëtarja shqiptare po përgatitjet për Europianin e dytë. Emocionet te kuqezinjtë janë të mëdha, teksa këtë herë nuk duan të jenë vetëm kalimtarë.
Sylvinho dhe “djemtë’ e tij do të tentojnë të bëjnë surprizën në Euro 2024, ndonëse nuk do të jetë aspak e lehtë për ta. 24 ekipe janë pjesëmarrëse dhe do të luftojnë mes tyre në Gjermani për trofeun e këtij kompeticioni.
“Opta” ka analizuar mundësitë e 24 skuadrave që marrin pjesë në Euro2024, duke nxjerrë falë superkompjuterit edhe mundësitë e secilit ekip. Sipas “Opta”, mundësitë e Shqipërisë për të fituar Euro2024 janë vetëm 0.2%, duke qenë ekipi i parafundit sa i takon shanseve për sukses. Superkompjuteri jep vetëm 0.8% shanse që kuqezinjtë të arrijnë në finale dhe 3.2% për të shkuar deri në gjysmëfinale.
Sa i takon mundësive në grup, Shqipëria ka përqindje më të lartë për të dalë e katërta sipas “Opta”, teksa simulimi kompjuterik i jep 56,4%, vendi i tretë llogaritet, 25,7%, vendi i dytë 12,3% dhe ai i pari në grup vetë, 5,6%. Shanset e Shqipërisë për të shkuar në 16-she janë 33,4%, ndërsa përqindja zbret në 11,6 për kualifikimin në çerekfinale.
Llogaritë nga “Opta” janë realizuar përmes një programi të sofistikuar të dhënash, që ka simuluar 10 mijë herë gjithë turneun dhe janë përcaktuar përqindjet e çdo varianti të mundshëm të përfundimit të tij./Newsport