Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se hapja e Urës së Ibrit nuk është çështje e dialogut. Sipas tij, kjo çështje është mbyllur në vitin 2016, raporton Express.
Sveçla bashkë me Ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqin, janë parë sot duke bërë inspektimin e urës. Ai ka thënë se ura do të hapet.
“Inspektimi është në dy faza, jemi në proces, po veprojmë sipas planit të cilin ne po e ndajmë me bashkëpunëtorët tanë dhe s’po shoh asgjë të jashtëzakonshme. Çështja është e mbyllur, qysh më 2016. Nuk është çështja e dialogut fare. Është çështje e të drejtës për t’u hapur dhe e një vendimi që është tashmë publik”, ka thënë Sveçla për gazetarët.
QUINT’i dhe NATO ia kanë bërë të qartë javën e kaluar Kryeministrit Albin Kurti se nuk e mbështesin hapjen e Urës së Ibrit për vetura.
“Përfaqësuesit e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe, Shteteve të Bashkuara, së bashku ,me ambasadorin e BE në Kosovë, u takuam sot me kryeministrin Kurti për ta njoftuar se qeveritë tona në konsultim me NATO-n nuk mund ta mbështesin asnjë ndryshim në statusin e tanishëm të Urës së Mitrovicës në këtë kohë”, ka deklaruar ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier.
Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, deklaroi dje se çdo vendim për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.