Premtimi i kryetarit të Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, që rruga Prishtinë-Podujevë do të përfundojë brenda këtij viti, nuk janë duke i besuar qytetaret e bizneset që janë afër kësaj rruge që janë duke u kryer punimet, raporton Ekonomia Online.
Ata janë ankuar se si shkaka i zgjatjes së punimeve shumë biznese janë mbyllur e shumë të tjera rrezikojnë të mbyllen
Ndryshe nga qytetaret mendon kryetari Bulliqi, i cili tha se punimet në këtë rrugë janë duke u realizuar sipas planit dhe se është duke u bërë çdo gjë që është e mundur që punimet të përfundojnë brenda këtij viti.
“Punimet janë duke u realizu sipas planit. Informacionet të cilat i kam nga Ministria e Infrastrukturës është që mbajnë takime të rregullta dhe po bëjmë ç’është e mundur që ta përfundojmë brenda këtij viti. Presim që të përmbyllet brenda një viti por natyrisht mund të mbetet ndonjë finesë por besoj që brenda këtij viti do të bëhet e qarkullueshme. Rruga Prishtinë-Podujevë e dijmë që është prej rrugëve më të ngarkuara me trafik që vjen e shtohet me ardhjen e bashkatdhetarëve. Me që njëra trase pothuajse është e lidhur me tërë gjatësinë e kësaj rruge nuk është vërejtur ndonjë pengesë shumë e madhe por pengesa ka gjithsesi”, ka thënë ai.
Sa i përket ankesave, Bulliqi ka thënë se me krijimin e njërës trase është lehtësuar puna edhe për kompaninë edhe për lokalitetet.
“Ndonjë ankes mund të jetë por nuk mund të punohet pa pasur pluhurë, janë më se normale ato gjëra. Mendoj që ato gjera tani kanë evoluar, me qenë traseja e parë është lidhur me tërë gjetësin e saj, kanë mbete disa segmente të shkurtra, besoj që jashtëzakonisht më tepër është lehtësuar situata edhe për kompanitë por edhe për lokalitet”, ka thënë ai.
Qytetari Enver Avdullahu, i cili zotëron një biznes mobilieria, është ankuar për mënyrën se si janë duke u zhvilluar punimet në këtë rrugë, duke shtuar se hall të madh e kanë edhe pluhurin që po shkaktohet.
Ai ka thënë se si shkak i saj, shumë biznese janë mbyllur e shumë të tjera rrezikojnë të mbyllen.
“Qysh pe shihni edhe vet rruga është Zoti hajr e boftë. Sot e shtrojnë e nesër vjen një tjetër grup e masin edhe e heqin, pastaj një tjetër grup që thonë jo duhet me e shtru prapë. Nuk e di çka po bojnë e çka po marojnë. Na mbyti pluhuri. Nuk besoj deri ta shohë krejt të përfunduar. Gjithë bizneset thuajse janë mbyllur, po largohen, gjithë kanë mu ndërpre e me ndal biznesin e vetë”, ka thënë ai
Edhe Faton Abdullahu, banor i kësaj ane ka thënë se duke parë mënyrën se si po punohet, nuk pret që rruga të përfundoj brenda këtij viti.
“Në bazë të kësaj tempoje që janë duke shku spo ma merr mendja që do e përfundojnë sepse po pauzojnë e ndonjëherë shkojnë me tempo më të shpejtë e ndonjëherë më të ngadaltë. Ka pluhur, papastërti e bizneset thuajse veç se kanë me u mbyllë. Nuk kemi çka me u anku na kur ata duhet me ardhë vet me u interesuar se kur po vjen puna me lyp vota po vijnë. Ata duhet me ardhë me shiku vendin e ngjarjes edhe me u interesuar për qytetarët e vet se çfarë halli kanë”, ka thënë ai. /EO/